Weber: Kosova e Serbia nuk synojnë anëtarësim në SHBA, prandaj BE-ja duhet t’i udhëheqë negociatat

Weber: Kosova e Serbia nuk synojnë anëtarësim në SHBA, prandaj BE-ja duhet t’i udhëheqë negociatat

Bodo Weber, analisti gjerman dhe bashkëpunëtor i lartë pranë Këshillit për Politikë të Demokratizimit, me seli në Berlin, në emisionin DESKU të KTV-së, ka komentuar edhe emërimin e emisarit të ri për bisedimet Kosovë-Serbi nga BE-ja, Miroslav Lajçakun.

Ai thotë ta ketë kritikuar emërimin e tij edhe më parë, bashkë me kolegë të tij, dhe thotë se argumenti më i rëndësishëm në kritikë e tij është se së pari u emërua Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, një ish-ministër i Jashtëm i Spanjës, Josep Borrell, e më pas Lajçaku, një ish-ministër i Jashtëm i Sllovakisë, vende këto të BE-së që nuk e njohin Kosovën.

Ai thotë kjo tregon se ka lidership të pamjaftueshëm evropian në çështjen e negociatave Kosovë-Serbi.

Reklama e sponzorizuar

“Është një argument më i rëndësishëm, që për fat të keq duhet ta bëj nga pikëpamja proevropiane… Çfarë mund të identifikohet pas gjithë kësaj procedure, ku së pari emërohet Borrelli e më pas Lajçaku, është se ka lidership të pamjaftueshëm evropian në këtë çështje të negociatave, për më tepër për rinisjen e negociatave mbështetur mbi mësimet e mësuara të dy vjetëve të negociatave të udhëhequra keq për shkëmbime të rrezikshme territoresh”, deklaron Weber.

Thotë se kritika duhet ndarë në dysh: ndaj SHBA-së, nga njëra anë, dhe ndaj BE-së, në anën tjetër.

“Ndaj SHBA-së, që po sillet në formë proaktive, por edhe të rrezikshme dhe destruktive ndaj BE-së dhe aktorëve të BE-së që kanë qenë tepër pasivë duke mos marrë mbi vete lidershipin dhe duke mos qenë mjaft kërkues për ta marrë udhëheqjen e negociatave që mund të udhëhiqen vetëm nga BE-ja. Siç e kam thënë shumë herë, leva e këtyre negociatave ka aspirata të Serbisë për anëtarësim në BE sepse as Kosova e as Serbia nuk aspirojnë të bëhen shteti i 51-të i SHBA-së, prandaj, me gjithë këtë BE të dobët, SHBA-ja nuk mund ta zëvendësojë BE-në në negociata. Pavarësisht se çfarë bën ose jo BE-ja, apo çfarë bën ose jo SHBA-ja, ky proces do të kthehet në BE. Në këtë drejtim, BE-ja nuk ka treguar lidership dhe kur e nisi, ta zëmë, me dy video konferenca të kancelares Merkel me Vuçiqin dhe Kurtin, kjo tregoi se BE-ja mund të arrijë përparime sepse duhet pasur parasysh se Vuçiqi, për herë të parë pas një viti, dëshmoi se kishte gatishmëri për kompromis për punën e tarifës, porse tashmë ishte vonë”, u shpreh analisti gjerman.

Ai shton se BE-ja duhet ta marrë udhëheqjen dhe të mësojë nga kjo dhe për BE-në është e domosdoshme që ta mënjanojë dëmin që ia ka bërë kredibilitetit të vet për shkak të mosveprimit.

“Duhet t’ia nisë me marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave edhe nëse nuk mund të zbatohet për shkak të koronës”, u shpreh Weber. 20:12

Weber: E paqartë performanca e administratës Trump ndaj Kosovës – nuk dihet ku e ka cakun

Analisti gjerman, Bodo Weber, kritikon qasjen e administratës së Trumpit ndaj çështjes së Kosovës.

Në një intervistë dhënë emisionit DESKU në KTV, ai thotë se deklaratat e fundit të Grenellit, se politika e tij ka të bëjë vetëm me ekonominë, e diskreditojnë argumentin e tij kur shihet të jetë përzier në çështjet e brendshme politike në Kosovë, siç u pa edhe me rrëzimin e qeverisë së Kosovës.

“Kemi një performancë të administratës së Trumpit që është krejtësisht e paqartë. Nuk dihet ku e ka cakun. Nëse mbështeteni në deklaratat e Grenellit në javët e fundit dhe me rastin e rrëzimit të Qeverisë të cilën ai e ka nis, se politika e tij ka të bëjë vetëm me ekonominë, se ka të bëjë me zbatimin e tri marrëveshjeve, apo tri letrave të qëllimit, se krejt kjo ka të bëjë me ekonomi dhe se nuk përzihet në politikë, atëherë e besoj se kjo e vetëdiskrediton administratën Trump, ngase nëse bëhet fjalë për ekonominë dhe më pas e rrëzoni një qeveri duke u mbështetur në këtë që është punë e pastër politike, kjo e diskrediton argumentin”, thotë Weber.

Sipas tij, “nëse kjo deklaratë nuk merret seriozisht dhe e shikoni performancën e dy kryetarëve përpara, në kohë të Mogherinit, përderisa tash e keni një treshe që negociojnë fshehurazi, pra Grenelli dhe kryetarët Vuçiq dhe Thaçi, e posaçërisht sjellja dhe deklaratat e Thaçit që nga takimi në Shtëpinë e Bardhë për marrëveshjen që po arrihet në Shtëpinë e Bardhë me BE-në jashtë loje, të bëjnë të logjikosh se performanca amerikane ka të bëjë me shkëmbimin e territoreve dhe këtu janë mosmarrëveshjet më të mëdha”.

Ai thotë se nëse lexohet deklarata e Grenellit, “e gjitha flet për marrëveshjen (shën.red: e përfolur për shkëmbim territoresh), pra se ata nuk kanë parë këso marrëveshje dhe se nuk janë duke e promovuar, porse kjo nuk është shumë më ndryshe nga koha e John Boltonit – pra askush nuk tha jemi në favor të shkëmbimit dhe jemi duke e promovuar, porse askush nuk po thotë se nëse dy kryetarët dalin me një marrëveshje me shkrim për shkëmbim territoresh, se Amerika nuk do ta përkrahë”.

Weber thotë se nuk e di nëse marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë do të përfshijë shkëmbimin e territoreve, por thotë se ndërhyrja amerikane nuk ka qenë për çështje ekonomike, por për ato politike.

“S’jam ende i bindur se gjithçka që ka ndodhur me ndërhyrjen amerikane me këto negociata krejtësisht jotransparente ndërmjet Grenellit dhe dy kryetarëve, mënyra e shmangies së Qeverisë në këto negociata te këto tri marrëveshje, se krejt kjo ka të bëjë me insistimin e Grenellit për ekonominë. Nëse thuhet se është për punë të ekonomisë dhe jo për punë politike, e më pas përfshiheni në rrëzimin politik të Qeverisë, kjo punë vështirë se besohet. Prandaj, vetëm mund të spekulojmë, porse nëse duhet spekuluar dy janë opsionet: ose kjo është një performancë plotësisht amatoreske dhe krejtësisht e papërgjegjshme e emisarit presidencial amerikan i cili beson se çështjet ekonomike mund të funksionojnë pa arenën politike, përderisa ndërhyn thellë në arenën politike; ose nuk i besoni kësaj deklarate, dhe atëherë do të besoni se z. Grenell dhe administrata amerikane e duan një marrëveshje të shpejtë, për promovim personal si njeri që bën paqe”, deklaron analisti gjerman.

Por ai shton se marrëveshja e shpejtë, apo, siç e quan ndryshe ai, “marrëveshja e rreme e shpejtë” që thotë ta kemi parë në këta dy vjet, është që dy kryetarët e shteteve, Kosovës dhe Serbisë, që janë të interesuar për këso marrëveshje të shpejta, “do të mund ta përfshinin marrëveshjen për shkëmbimin e territoreve”.

Megjithatë, ai thotë se nuk e di nëse cilado nga këto marrëveshje të shpejta arrihet mes dy vendeve, “nëse do ta fitonte shumicën e dy të tretave në Kuvendin e Kosovës”.

“Jam shumë skeptik dhe kjo e bën performancën amerikane dhe më irracionale dhe më të dëmshme”, theksoi Weber.