Tashmë që rastet e konfirmuara me Covid-19 kanë tejkaluar shifrën 1 milion në nivel global dhe gjithnjë e më tepër vende po vendosin karantina për të ngadalësuar përhapjen e pandemisë, lind pyetja: “Kur do të përfundojë e gjithë kjo”?
Përgjigjja varet së tepërmi nga paqartësitë në lidhje me koronavirusin, përfshirë faktin nëse mund të infektohesh më shumë se një herë dhe sa shpejt shkencëtarët e botës mund të gjejnë një vaksinë. Këtu ndikojnë edhe faktorë si kostoja dhe përfitimet e një karantine të zgjatur dhe sa janë në gjendje ta përballojnë atë vende të ndryshme të botës, si nga ana ekonomike, ashtu edhe politike, shkruan Bloomberg.
- Si do të përfundojë kjo situatë?
Është pranuar gjerësisht se pandemia do të përfundojë vetëm kur të jetë arritur i ashtuquajturi “imunitet në masë”. Pra kur një numër i mjaftueshëm njerëzish brenda një komuniteti, kanë fituar imunitet ndaj patogjenit dhe ky i fundit nuk mund të mbijetojë dot dhe zhduket vetvetiu. Ekzistojnë dy rrugë që çojnë në këtë rezultat. Njëra është imunizimi. Studiuesit duhet të krijojnë një vaksinë të sigurt dhe efektive kundër koronavirusit dhe autoritetet shëndetësore duhet ta mundësojnë atë për një numër të mjaftueshëm njerëzish. Rruga e dytë drejt imunitetit në masë është më e rëndë: Ai mund të lindë pasi një pjesë e madhe e njerëzve janë infektuar me patogjenin dhe në këtë mënyrë zhvillojnë rezistencë ndaj tij.
- Si mund të menaxhohet situata ndërkohë?
Strategjia që po ndjekin shumë vende është bllokimi i lëvizjes së njerëzve për të ngadalësuar në mënyrë të konsiderueshme përhapjen e virusit, duke mbyllur bizneset dhe shkollat, duke ndaluar grumbullimet në masë dhe duke i mbajtur njerëzit në shtëpi. Synimi është të parandalohet një shpërthim i madh infeksionesh që do të mbingarkonte sistemin mjekësor, duke shkaktuar vdekje të tepërta për shkak të pamundësisë së spitaleve për të përballuar kërkesat. Nëpërmjet “uljes së kurbës” synohet frenimi sa më i gjatë i përhapjes së rasteve të reja për t’i dhënë kohë autoriteteve dhe kujdesit shëndetësor për t’u mobilizuar – pra për të krijuar kapacitete për testime, për gjurmimin e kontakteve të personave të infektuar dhe për trajtimin e të sëmurëve, duke zgjeruar burimet spitalore, përfshirë respiratorët dhe njësitë e kujdesit intensiv.
————————————————————————————-
Gjurmimi i Covid-19
72,933 raste të reja të raportuara në botë, 6 prill
75,297 vdekje totale të raportuara në botë
29,542 raste në SHBA (numri më i madh i rasteve të reja në një ditë)
-22% ndryshimi i Indeksit Botëror MSCI të aksioneve globale që prej izolimit të Wuhan-it, 23 janar
-0.9934 ndryshimi në rendimentin e bonove të thesarit që prej izolimit të Wuhan-it, 23 janar
———————————————————————————–
- Kur mund të lirohen kufizimet?
Publiku nuk duhet të presë që jeta t’i rikthehet normalitetit së shpejti. Nëse kufizimet do të hiqeshin shumë herët, mund të niste një valë e re infeksionesh. Autoritetet kineze nisën të rihapin qytetin e Wuhan-it, vendi ku filloi pandemia, dy muaj pasi u izolua tërësisht, vetëm atëherë kur transmetimi i sëmundjes praktikisht kishte ndalur. Por masat e Kinës ishin më të rrepta se kudo tjetër në botë dhe të paktën një qark është izoluar për herë të dytë. Zëvendës drejtori i sektorit mjekësor në Angli, Jenny Harries, tha se masat e izolimit duhet të zgjasin dy, tre ose mundësisht, deri në gjashtë muaj. Annelies Wilder-Smith, një profesoreshë e sëmundjeve të reja infektive në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër, rekomandon që kufizimet të vazhdojnë derisa rastet ditore të bien vazhdimisht për të paktën dy javë.
- Ç’do të ndodhë më pas?
Një hartë orientuese e autorizuar nga një grup specialistësh të shëndetit në SHBA, përfshirë ish-komisionerin e Administratës së Ushqimit dhe Barnave, Scott Gottlieb, rekomandon një fazë të ndërmjetme gjatë së cilës shkollat dhe bizneset mund të rihapen, por grumbullimet e njerëzve në masë do të ishin ende të kufizuara. Njerëzit do të vazhdonin të këshilloheshin për të ruajtur distancën me njëri-tjetrin dhe ata në rrezik më të lartë do të këshilloheshin që të kufizonin kohën në vende publike. Nëse rastet do të fillonin të rriteshin sërish, kufizimet do të forcoheshin.
Raporti i tyre, i publikuar nga Instituti Amerikan i Ndërmarrjeve të Biznesit, është më optimist sesa e ardhmja e parashikuar nga studiuesit e Imperial College London. Parashikimet e tyre sugjerojnë se për të paktën dy të tretat e kohës deri sa të vendoset imuniteti në masë, njerëzit duhet të minimizojnë kontaktin me shkollat, vendet e punës ose vendet publike deri në 75%. Në çdo rast, testimet e disponueshme në masë janë të rëndësishme gjatë kësaj faze. Plani amerikan synon të paktën 750,000 teste në javë.
- Pse është kaq i rëndësishëm testimi?
Ky virus po shkakton pasoja kaq të rënda, jo ngaqë është tejet vdekjeprurës, por sepse është i padallueshëm; shumë persona që janë të infektuar mund të vazhdojnë punën e përditshme, duke e përhapur padashur sëmundjen edhe tek të tjerët. Prandaj testimet në masë janë thelbësore, sidomos testimi i personave që shfaqin simptoma. Në këtë mënyrë, ata që janë infektues mund të vihen në izolim dhe të gjithë personat të cilët kanë pasur kontakte të ngushta me ta, duhet të gjurmohen, testohen dhe nëse është e nevojshme, të izolohen duke kufizuar përhapjen e mëtejshme të virusit në komunitet. Një lloj tjetër testi kërkon antitrupa për të parë kush e ka mposhtur tashmë virusin dhe kështu nuk ka gjasa të infektohet sërish, të paktën për njëfarë kohe. Pasi të jenë të disponueshme në mënyrë masive, teste të tilla mund t’u japin mundësi njerëzve që testojnë pozitivë për antitrupa, të lëvizin më lirisht.
- Pse ka rëndësi vendi ku ndodheni?
Shtete autoritare si Kina mund të imponojnë kontrolle më të rrepta mbi lëvizjen dhe mjete më të forta mbikëqyrëse, si kontrollet e temperaturës në çdo shtëpi, gjurmimi dhe zbatimi i karantinave, dhe janë më pak të ndjeshëm ndaj presionit të bizneseve dhe mendimit publik. Kjo u jep këtyre vendeve mjete të fuqishme për të mbajtur nën kontroll virusin, për sa kohë që janë të vëmendshëm ndaj rasteve të importuara. Kjo është një punë më e vështirë për kombet e tjera. Vendet më të varfra nuk mund të përballojnë lehtë humbjet ekonomike të shkaktuara nga kufizimet e zgjatura dhe shpesh nuk kanë infrastrukturën shëndetësore për mbikëqyrje të gjerë.
- Për sa kohë mund të gjendet një vaksinë?
Dhjetëra kompani dhe universitete në të gjithë botën po punojnë për një vaksinë, por nuk ka asnjë garanci se do të arrijnë ta realizojnë. Zhvillimi i vaksinave normalisht është një proces i gjatë dhe i ndërlikuar që kërkon vite provash për të siguruar që injeksionet janë të sigurta dhe efektive. Në luftën kundër koronavirusit, disa kompani synojnë të krijojnë një vaksinë në 12 deri në 18 muaj, një synim jashtëzakonisht ambicioz.
Edhe në qasjet e provuara dhe të vërtetuara, shkencëtarët po mbështeten në teknologji të reja, si ato që shtojnë material gjenetik viral në qelizat njerëzore, për t’i nxitur ato që të prodhojnë proteina të cilat stimulojnë një përgjigje imunitare. Disa specialistë të vaksinave besojnë se qeveritë, qytetarët dhe investitorët duhet ta zbusin nivelin e optimizmit. Nuk dihet nëse metodat do të funksionojnë, nëse afatet do të arrihen apo nëse kompanitë do të jenë në gjendje të prodhojnë një numër të mjaftueshëm vaksinash.
- Po rruga e dytë drejt imunitetit në masë?
Së pari, kjo mund të ndodhë vetëm nëse njerëzit fitojnë imunitet të qëndrueshëm pas shërimit nga një infeksion. Nuk dihet ende nëse do të ndodhë kështu me koronavirusin. Nuk dihet as sa e madhe duhet të jetë pjesa e popullatës që duhet të ekspozohet ndaj virusit për të arritur imunitetin në masë. Në përgjithësi, ajo është e lartë, për shembull 75% për difterinë dhe 91% për fruthin. Patrick Vallance, krye këshilltari shkencor i qeverisë britanike, në shkurt, parashikoi se për koronavirusin kjo shifër duhej të ishte 60%. Fakti se sa kohë do të duhej për të arritur në pragun e nevojshëm, varet nga masat që marrin qeveritë në përgjigje të pandemisë. Pa kufizime të forta, imuniteti në masë do të ndodhte më shpejt, por do të shoqërohej me një kosto të lartë në sëmundje dhe vdekje, pasi sistemet shëndetësore do të mbingarkoheshin. Disa studime besojnë se numri real i infeksioneve është shumë më i lartë se rastet e konfirmuara. Nëse kjo është e vërtetë, vendet janë më afër arritjes së imunitetit në masë.
- A ka mundësi të tjera?
Mund të kemi fat dhe virusi mund të venitet me fillimin e verës në hemisferën veriore, ku janë përhapur edhe shumica e rasteve, njëlloj siç ulen nivelet e gripit me ndryshimet sezonale. Por nuk dihet ende nëse moti i ngrohtë luan ndonjë rol në këtë mes. Edhe nëse përhapja e infeksioneve ulet, virusi mund të rikthehet në vjeshtë. Disa i kanë varur shpresat vetëm në një terapi ultra efektive ose në gjetjen e një kure. /Monitor.al/