Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar mbrëmë pas mesnatës se gjatë ditë së mërkurë janë regjistruar edhe 14 raste të reja me koronavirus në vend.
Po ashtu ka njoftuar për shtatë persona të tjerë të shëruar. Sipas të dhënave të fundit të IKSHPK-së, tash gjithsej janë 37 të shëruar.
Për herë të parë IKSHPK-ja ka përfshirë të gjitha rastet nga komunat në veri të Kosovës për çka numri i të infektuarve është rritur në 224. Të vdekur si pasojë e Covid-19 janë 6.
“Sot, më 08 prill 2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 218 mostra të marra nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore. Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, gjithsej 14 prej tyre kanë rezultuar pozitive. Rastet pozitive të sotme janë raste kontakti, 4 prej tyre me vendbanim në Smrekonicë-Vushtrri, 2 me vendbanim në Banjë – Malishevë, 2 me vendbanim në Prishtinë, 2 me vendbanim në Mitrovicë të Veriut dhe me nga 1 rast vendbanimet Bllacë-Suharekë, Gjurgjevik-Klinë, Krojmir-Lipjan dhe Zveçan. Sot më 08 prill 2020, nga Klinika Infektive është raportuar një rast i vdekjes nga fshati Banjë i Malishevës e gjinisë femër (66 vjeç) dhe e konfirmuar me COVID-19 më 04 prill 2020. Është trajtuar në repartin intenziv të Klinikës Infektive nga data 04 prill 2020. Pacientja ka pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese (Diabet Melit tip 2, Hypertensio arterialis dhe Insufficientio renalis acuta)”, shkruan në njoftim.
IKSHPK-ja ka dhënë rastet veç e veç për komuna dhe këtu prinë Malisheva me 66 të infektuar.
“Nga rastet e konfirmuara pozitive, sipas komunave: 66 raste nga komuna e Malishevës, 25 raste nga Prishtina, 21 raste nga komuna e Vushtrrisë, 20 raste nga Mitrovica e Veriut, 18 raste nga Gjilani, 13 raste nga Kamenica, 10 raste nga Gjakova, 10 raste nga Zveçani, 7 raste nga komuna e Vitisë, 6 nga komuna e Pejës, 4 raste nga Podujeva, 3 raste nga Klina, 3 raste nga Fushë-Kosova, 3 raste nga Prizreni, 3 raste nga Leposaviqi, 3 raste nga Suhareka, 2 raste nga Ferizaj, 2 raste nga Zubin Potoku, 2 raste nga Lipjani dhe me nga 1 rast komuna e Drenasit, Obiliqit dhe Shtimes.
Nga data 01 shkurt 2020 deri me 08 prill 2020 në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe në pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 25.990 udhëtarë. Në Aeroportin “Adem Jashari” 1.070 udhëtarë, Merdare 6.559, Vërmicë 7.477, Jarinje 2.219, Dheu i Bardhë 1.245, Hani i Elezit 4.899, Kullë 1.614, Qafë Morinë 47, Bërnjak 657, Qafë Prush 35, Muçibabë 167 dhe Glloboçicë 1 udhëtar”, përfundon njoftimi.