OAK kërkon lehtësira në qarkullim për bizneset e Shqipërisë dhe Kosovës

Oda e Afarizmit të Kosovës ka kërkuar që të krijohen lehtësira tregtare për lëvizje të biznesmenëve në këtë kohë krize, për bizneset nga Kosova dhe Shqipëria.

Sipas OAK-ut, kjo është më se e domosdoshme në mënyrë që qytetarët të furnizohen sa më mirë me të gjitha produktet e nevojshme, sidomos tani kur është periudha e produkteve sezonale bujqësore, ku në Shqipëri ka tepricë të këtyre produkteve ndërsa në Kosovë ka kërkesë për këto produkte dhe anasjelltas.

Reklama e sponzorizuar

“Përmes lejimit të qarkullimit, biznesmenët do të kenë mundësi që të rritin blerjen e produkteve të disponueshme në këtë kohë. OAK kërkon që të ndërmerren masat e nevojshme dhe bizneseve tregtare të iu krijohen lehtësira për qarkullim në mënyrë që të bëjnë furnizimin e duhur me produktet e nevojshme nga njëri vend në tjetrin” thuhet në kërkesë.

Kjo letër është bërë më kërkesë të bizneseve tregtare, për arsye të pengesave të qarkullimit që janë krijuar si rezultat i pandemisë.

Kërkesa nga Oda e Afarizmit të Kosovës u është dërguar Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, si dhe ministrave përkatës të Shqipërisë dhe Kosovës.