Për shkak të mbylljeve të kufijve nga qeveritë, qindra mijëra punëtorë sezonalë nga Evropa Lindore nuk mund të shkojnë në fermat e perëndimit që i njohin mirë. Nga Spanja në Poloni, prodhimet bujqësore janë në rrezik. Adrian Stan është një punëtor sezonal në bujqësi, punë që është përfitimi i tij i vetëm.
“Për tre vitet e fundit unë kam bërë një turne i vogël nëpër Evropë, thotë 29 vjeçari rumun nga një fshat në periferi të Bukureshtit ku jeton me gruan dhe vajzën 4 vjeçare. Kam mbledhur domate në Belgjikë dhe molla në Itali, e më pas patate në Gjermani. Me paratë që fitoj mbaj familjen time gjithë vitin”.
Por ky vit, me epideminë e koronavirusit, e ka lënë atë pa punë. Si ai, qindra mijëra rumunë që jetojnë me punë sezonale në Evropën Përendimore janë të dënuar nga mbyllja e kufijve.
Më 21 Mars, një avion i mbushur me 144 punëtorë sezonalë u ngrit nga Suceava, në verilindje të Rumanisë për në Hanover, në veri të Gjermanisë. Ishte i fundit. Që atëherë, Gjermania ka ndaluar hyrjen e punëtorëve nga Rumania e Bullgaria. Si Gjermania, pothuajse të gjitha vendet evropiane kanë mbyllur kufijtë e tyre për shkak të pandemisë. Mbi 200.000 punëtorë sezonalë janë në pritje të ditëve më të mira.
Pemëtoret bosh
Në të gjithë kontinentin, mungesa e punëtorëve sezonalë nga lindja ndjehet mizorisht me ardhjen e pranverës. Në Spanjë, tani vendi më i prekur nga epidemia, kontigjentet e marokenëve, tunizianëve, rumunëve apo bullgarëve, të cilët çdo vit punojnë në plantacionet e pemëve frutore mungojnë pasi Madridi mbylli kufijtë më 14 mars.
Në vendin e parë prodhues të frutave evropiane, pothuajse në të gjitha pemishtet mungojnë krahët e punës. Nuk ka punëtorë për të mbledhur qershitë në Alicante ose Lugina e Jerte (Extremadura). Në brigjet e Ebros, Aragonës dhe Katalonjës, 50,000 njerëz janë urgjentisht të nevojshëm për rrallimin e pjeshkëve e kajsive.
Kjo mungesë ndihet kudo: në fushat e hudhrave të Kordovës (Andaluzia) dhe Cuenca (Castile) duhen dëshpërimisht punëtorë në Guadalajara, afër Madridit, ku mungon 80% e fuqisë punëtore për mbledhja e asparagusit jeshil. Kultivuesit e ekstremadurës janë në kërkim të katërqind profesionistëve për të siguruar kositjen për delet, ndërsa në Castile prodhuesit nuk dinë ku të çojnë qengjat e tyre sepse restorantet, klientët e tyre kryesorë, janë mbyllur.
Në të gjithë Spanjën, sipas Shoqatës Agrare (Asaja), fermat kanë nevojë për “100,000 deri 150,000 punëtorë në dy muajt e ardhshëm”. Prodhuesit e luleshtrydheve të Huelvas njoftuan se ata nuk i mbledhin dot frutat. Veç mungesës së fuqisë punëtore, bujqit e tregut Andaluzian gjithashtu vuajnë nga anulimi i shumë porosive ndërkombëtare.
Konsumatorët evropianë po mbahen me fruta të ngrira, ndërsa ata të fushës po prishen. Situatë e njëtë është edhe në Belgjikë. Në këtë vend, sektori i frutave dhe perimet punëson çdo vit 60,000 njerëz, 90% e të cilëve janë nga Polonia, Rumania e Bullgaria. Sipas autoriteteve belge ka mungesa të theksuara punëtorësh për mbledhjen e domateve, luleshtrydheve dhe rrepave.
Kultivuesit belgë e konsiderojnë veten e tyre më tepër në rrezik, duke pasur parasysh mbylljen e restoranteve e shkollave që nga 14 marsi. Çmimi i asparagusit të bardhë, shumë i çmuar në Belgjikë, ka rënë përgjysëm. Fermerët janë detyruar t’i shesin ato përgjatë rrugëve.
Brukseli në alarm
Kjo paralizë e përgjithshme ka alarmuar Brukselin. Komisioneri i Bujqësisë, Janusz Wojciechoëski, rekomandoi më 30 mars, shtetet anëtare të lehtësojnë kalimin e kufijve për punëtorët e sektorit bujqësor, “sepse ata janë baza e sigurisë ushqimore në BE”. Më 6 Prill, Komisioni Evropian njoftoi thjeshtim të procedurave administrative për fermerët evropianë dhe shtesa të afateve të qëndrimit për to.
“Ne qëndrojnë pranë fermerëve tanë në këto periudha të vështira, dhe ne do të ndërmarrim hapa të tjerë për t’i mbështetur ata bazuar në ecurinë e situatës”, premtoi Ursula von der Leyen. Qeveria gjermane ka reaguar shpejt: më 2 prill, Berlini ka relaksuar kushtet e hyrjes së punëtorëve të huaj bujqësorë. Nuk ka kohë për të humbur: rreth 300,000 punonjës sezonalë – kryesisht polakë dhe rumunë – që zakonisht punojnë në fermat gjermane janë të mirëpritur.
“Ne nuk mund t’i zëvendësojmë ato brenda natës. Për më tepër, për pagë të barabartë, ato kushtojnë më pak në kontribute sesa një punonjës me vendbanim në Gjermani”, thonë drejtuesit gjermanë të fermave. Berlini shpreson që përforcimet me punonjës do të mbërrijnë në Gjermani, veçanërisht midis të papunëve dhe refugjatëve.
Ndërkohë masat e vendosura në “paketën anti-krizë” të qeverive sigurojnë lehtësira për zgjatje afatesh të qëndrimit për punëtorët e huaj. Në pritje të hapjes së kufijve dhe aeroportit lokal, Adrian Stan shpreson të dalë nga apartamenti i tij i vogël dhe të shkojë në fushat ku ka punuar çdo vit. “Unë ende shpresoj të largohem për punë, nuk kam zgjidhje tjetër. Nuk është shteti rumun që do ta ushqejë familjen time. Më duhet të dal vetë. Me dy miq presim të nisemi për në Gjermani, kjo është ajo që po shohim si mundësi,” thotë ai. /Le Monde/