Një grup kongresistësh amerikanë i kërkuan Arabisë Saudite të mërkurën të stabilizojë çmimet e naftës, duke kërcënuar me sjelljen e një ligji që do të çonte në tërheqjen e mbështetjes ekonomike dhe politike nëse nuk arrin ta bëjë këtë.
“Jemi të shqetësuar me veprimet e Mbretërisë e cila në mënyrë artificiale ka shtrembëruar tregjet globale të naftës së papërpunuar, në një kohë kur të gjitha vendet e botës luftojnë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit”, thuhet në letrën e kongresistëve amerikanë drejtuar Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Mohamed bin Salman.
Ata thanë se industria e naftës dhe gazit natyror në SHBA bazohet në parimet e tregut të lirë.
“Megjithatë, mbretëria mund të ndryshojë kursin, të zvogëlojë prodhimin dhe të rivendosë ekuilibrin në tregun që ka shënuar rënien më drastike të çmimeve në vitet e fundit”, thanë kongresistët.
Rënia e çmimit të naftës erdhi pas skadimit të marrëveshjes mes Rusisë dhe OPEC-ut e cila udhëhiqet nga Arabia Saudite. Moska dhe Rijadi që nga ajo kohë janë futur në një garë për rritjen e prodhimit të naftës së papërpunuar që ka çuar në uljen e çmimit të naftës në treg.
Kongresistët amerikanë paralajmëruan Arabinë Saudite se kriza aktuale në treg mund të rrezikojë bashkëpunimin ekonomik, ushtarak dhe politik midis Washingtonit dhe Rijadit.
“Si anëtarë të Kongresit në të kaluarën kemi penguar tentimet e rrezikimit të partneritetit tonë dypalësh, por nëse Arabia Saudite dështon në trajtimin serioz të kapërcimit të krizës artificiale në tregun e naftës, ne do të nisim përgjigje reciproke të cilat do të kosiderohen si të duhura nga administrata amerikane”, thuhet në letër.
Pritet që sot OPEC-u për 10 deri 15 për qind të frenojë prodhimin ditor të naftës së papërpunuar për të ndërprerë furnizimin e tepërt të tregut.