Dy ish-anëtarë të Qeverisë së kaluar, një zyrtar i Qeverisë Kurti dhe një deputete e kësaj legjislature do të përballen në gjykatë me akuzat për korrupsion.
Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Nenad Rashiqi dhe Dardan Gashi, të gjithë ministra në Qeverinë “Thaçi 2”, janë akuzuar të premten nga Prokuroria Speciale për rastin e faljes së hidrocentraleve. Të akuzuar janë edhe 15 zyrtarë të tjerë, shkruan KOHA.
Vendimi për ngritjen e aktakuzës vjen katër vjet pas hulumtimit të “Kohës Ditore”, i cili kishte zbuluar se gjatë privatizimit të rrjetit të Distribuimit të KEK-ut me çmim rreth 26 milionë euro, ishin “falur” edhe katër hidrocentrale, vlera e të cilave nuk ishte përfshirë në çmimin e privatizimit.
Pas konfirmimit të aktakuzës ka reaguar deputetja Mimoza Kusari-Lila, atëbotë ministre e Tregtisë dhe Industrisë. Në Facebook ajo ka shkruar se ky proces gjyqësor do ta zbardhë të vërtetën e këtij rasti.