VV-ja reagon pas akuzave të LDK-së: Po përgatitet për puç

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka reaguar ndaj akuzave të sotme të LDK-së se partia e saj po bën fushatë linçuese ndaj SHBA-së.

Nagavci, përcjell KP-ja, tha se këto akuza po bëhen si parapërgatitje për një puç nga LDK-ja, transmeton KOHA.

“Është jo veçse e pakuptueshme për mua, por është e habitshme se sa poshtë ka ra një subjekt si LDK-ja dhe në llumin ku ata tashmë janë zhytur vetë, mundohen që të përhapin balt për gjithë të tjerët. Është vërtet e pakuptueshme se si mundën që të përdorin artikuj të tillë duke qenë se, në se e shihni se cilit artikull i referohen, është një artikull krejtësisht i pavërtetë dhe që e merr si objektiv një lajm të publikuar në një faqe të mbështetësve të një subjekti tjetër, për më shumë ata janë nisur prej komenteve në komente, domethënë është krejtësisht e ulët, e pavërtetë”, tha Nagavci për KP-në.

Reklama e sponzorizuar

Nagavci, që është edhe nënkryetare e Kuvendit, tha se kjo është parapërgatitje nga LDK-ja për siç tha ajo, puç.

“Gjithë kjo që po ndodh, ky harmonizim i LDK-së, i disa prej gazetave është parapërgatitje për atë që po mundohen të bëjnë, një ‘puç’ duke u munduar që të krijojnë aleanca me ata që deri dje i kanë quajtur kapës të shtetit”, u shpreh Nagavci.

LDK-ja gjatë ditës akuzoi VV-në dhe siç tha ajo, militantët e saj se po bëjnë fushatë të ulët ndaj SHBA-së.