BQK e gatshme të bashkëpunojë me institucionet për “Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike”

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, i është përgjigjur pozitivisht ftesës së ministrit të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, për pjesëmarrje në takimin konsultues rreth “Pakos për Rimëkëmbjen e Ekonomisë”, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Kujtojmë se në këtë takim bashkë me Guvernatorin janë ftuar edhe të gjithë ish-ministrat e financave të Republikës së Kosovës, e deri më tani këtë ftesë e kanë refuzuar Avdullah Hoti i LDK-së dhe Haki Shatri i AAK-së, transmeton KOHA.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës e kryesuar nga Guvernatori Mehmeti, që nga fillimi i paraqitjes së krizës pandemike ka bashkëpunuar ngushtë me të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare, me qëllim që ekonomia jonë ta përballojë sa më lehtë këtë krizë. Ashtu siç e kemi sqaruar edhe në komunikimet e mëhershme me publikun, BQK-ja ka ndërmarrë një varg masash për ta ndihmuar ekonominë e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Reklama e sponzorizuar

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës thotë se është duke i përcjellë të gjitha zhvillimet dhe është e gatshme për veprime të mëtutjeshme për ta ndihmuar ekonominë e vendit.