Lidhur me fluturimin e tij nga Zvicra për në Kosovë ka reaguar edhe vet Behgjet Pacolli.
Pacolli e quan tronditëse faktin se s’po lejohet të vijë në Kosovë, mbi të gjitha, thotë ai, është shëndeti i tij ai që rrezikohet.
“Është tronditëse kjo që po ndodh me mua! Pas dy muajsh karantinimi së bashku me familjen time në Zvicër, nën asistencën shëndetësore, diçka që ua dëshmova me dokumente, më pengojnë të vij në Kosovë! Jam unë që rrezikoj duke ardhur në vendin tim nga Zvicra, një sistem kujdesi shëndetësor i përparuar, por dua të respektoj votën e qytetarit për mua!”, shkruan Pacolli.
Kujtojmë se dje Ministria e Infrastrukturës ka dhënë lejen që Pacolli të kthehet në Kosovë përmes aeroportit “Adem Jashari”, por ajo e Shëndetësisë, në një përgjigje për KOHËN, ka thënë se rregullat janë të njëjta për të gjithë qytetarët e Kosovës që vijnë nga jashtë, që do të thotë se duhet karantinim 14 ditësh.
Pacolli e ka kritikuar këtë vendim.
“Ju qeveritarë të Kosovës, kështu do bëni dhe me diplomatë zviceranë a perëndimorë që mund të vijnë në Kosovë? Do t’i karantinoni? Kush e bën këtë? Po e bën një qeveri të cilën unë e kam votuar! Për më shumë nuk kam votuar as mocionin për rrëzimin e saj!”, thotë ai përmes një reagimi në Facebook.
Pacolli, tutje përmes një reagimi thotë se “Kjo qeveri sot në mënyrë primitive, diktatoriale, më privon të kthehem ne vendin tim!”.
“Më pengon të zhvilloj veprimtarinë time parlamentare në shërbim të Atdheut tim! Akti ndaj meje, në kundërshtim me gjithë ligjet ndërkombëtare, madje dhe me vendimin e fundit të Gjykatës kushtetuese, nuk është akt force, por akt dobësie! Nuk është akt trimërie, por disfate! Nuk është qeveri e fortë, një qeveri që kapet pas pushtetit kësisoj dhe pengon veprimtarinë e parlamentit me çdo mjet, por qeveri e dobët! Kush jeni ju që paragjykoni veprimtarinë time parlamentare? Kush jeni ju që paragjykoni votën time? Po nëse unë do ta shpallja publikisht se do t votoja pro jush- a do të më pengonit? Jo, nuk e besoj! Ju kam votuar duke besuar tek rotacioni, tek energjia e re e votuesve tuaj, tek nevoja për ndryshim, por kjo që po ndodh ndaj meje, është zhgënjyese! Kjo është përgjigjja ndaj sjelljeve të mia ndaj jush!”, përfundon reagimin Pacolli.