Kryetari i Insititutit “Roberch Koch” për sëmundje ngjitëse, Lothar Wieler, u ka bërë thirrje gjermanëve që të qëndrojnë në shtëpi sa më shumë që është e mundur pasi shifrat e reja treguan se numri i rasteve me Covid-19 është rritur.
Wieler tha se shkalla e riprodhimit të virusit tashmë është në nivelin 1.0, që do të thotë se një person i infektuar është duke e infektuar mesatarisht edhe një person tjetër. Më herët gjatë këtij muaji, kjo shkallë ishte 0.7, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
Rritja e numrit të rasteve të reja të koronavirusit erdhi pas lehtësimit të disa prej masave kufizuese javën e kaluar, kur u rihapën dyqanet me më pak se 800 metra katrorë, dyqanet e veturave dhe biçikletave si dhe libraritë.
Gjatë një konference të rregullt për gazetarë, kryetari i institutit gjerman tha: “Kundër prapavijës së lehtësimit të masave, të sigurohemi që mund ta vazhdojmë mbrojtjen e këtij suksesi që e kemi arritur së bashku. Ne nuk dëshirojmë që numri të rritet përsëri. Sa të jetë e mundur, të qëndrojmë në shtëpi dhe t’i përmbahemi kontaktit të kufizuar.”
Ndonëse Gjermania ka shënuar rënie të rasteve të reja në javën e kaluar, shkalla e vdekshmërisë është rritur në 3.8 për qind. Sidoqoftë, ajo mbetet ende e ulët në krahasim me disa shtete evropiane, siç është Franca.