Deputetët e LDK-së, Avdyli e Shala: Votën e tregojmë në ditën kur të votohet Qeveria e re

Bashkë me Kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani, edhe dy deputetët e LDK-së, Ardian Shala dhe Haxhi Avdyli kanë votuar kundër mocionit për rrëzimin e Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.

E paqartë mbetet nëse ata do të ngrisin dorën pro Qeverisë me Kryeministër Avdullah Hotin që është paralajmëruar të formohet ditëve në vijim.

Reklama e sponzorizuar

Shala dhe Avdyli sot kanë thënë se tek kur të mbahet seanca për votimin e Qeverisë do të mësohet edhe qëndrimi i tyre.

“Kam qenë për Qeverinë e Shpresës dhe isha që të mos rrëzohej në kohën e pandemisë. Tash kemi një situatë tjetër, ku nga partia ime është kandidati për kryeministër i përkrahur nga Këshilli i Përgjithshëm”, është shprehur Shala.

“Jam duke u konsultuar ende me shumë qytetarë dhe me strukturat e partisë në degën prej nga vijë unë dhe vendimi im do të dihet në ditën e votimit për Qeveri në Kuvend. Deri atëherë mbaj këtë qëndrim”, ka deklaruar ai.

Kontaktuar përmes telefonit, Avdyli ka qenë fare i shkurtër në përgjigje duke thënë: “Votën do ta tregoj vetëm në Parlament në ditën e votimit të Qeverisë”./kk/