Me vendimin e Qeverisë së Kosovës, komuna e Klinës, pas gati dy muaj ka dal të dielën nga karantina, në të cilën ishte që nga 13 marsi, kur ishte diagnostifikuar rasti i parë me virusin Covid-19.
Por, liria e hyrje-daljes pas daljes nga karantina, mund t’u kthehet bumerang nëse nuk vazhdon të mbizotërojë kujdesi dhe të zbatohen masat e sigurisë që janë aktualisht në fuqi, pasi qytetarët në këtë komunë veç ia kanë filluar të shkojnë mysafirë te njëri tjetri.
Këtë e ka konfirmuar të hënën për Kohën, drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Hekuran Sejdiu.
“Brengë është puna e qytetarëve që tash veç kanë nisur të vizitojnë njëri tjetrin, pasi nuk janë parë kohë të gjatë shkaku që ka qenë karantinë për gati dy muaj komuna e Klinës. Pra, veç ka nisur fluksi i shkuarjes mysafir si e kanë zanat shqiptarë me i vizitua jo bijat e jo ç’bijat. Duke e parë që këto vizita menjëherë janë shfaqur, nuk kemi qare pa vazhduar të mbesim rigoroz, sepse rrezikojmë të kthehemi serish në karantinë”, thotë Sejdiu.
Ai e sheh pak të vështirë të ndalohen këto vizita mes veti të qytetarëve, prandaj komuna siç tha ai, ka kërkuar nga policia që të ashpërsojë kontrollet bazuar në masën e orarit të lëvizjes, pra numrat e fundit të letërnjoftimit.
“Kemi kërkuar të krijohen ekipe policore që të patrullojnë vazhdimisht nëpër lagje dhe fshatra dhe policia e ka marr përsipër që do ta kryej këtë detyrë. Ne të gjithë, duhet të jemi të kujdesshëm dhe strikt në zbatimin e masave sepse mund të na kthehet bumerang lirimi nga karantina”, iu drejtohet ai edhe klinasve që të mos lazdrohen dhe të vazhdojnë të zbatojnë masat e sigurisë dhe distancën sociale.
Kjo komunë ishte shpallur zonë e karantinës me 13 marsi, kur edhe është diagnostifikuar pozitivisht me virusin COVID-19 një shtetase italiane, e cila ka qenë pjesë e organizatës CARITAS të Italisë, e cila vepron në Komunën e Klinës dhe ndërkohë pasi është shëruar ajo është kthyer në Itali. Deri tash në këtë komunë, siç tha Sejdiu kanë qenë gjithsejtë pesë raste të diagnostifikuara dhe të gjithë janë shëruar.
“Për momentin nuk kemi asnjë rast aktiv në komunën e Klinës të infektuar me virusin Covid-19. Mbrëmjen e të dielës e kemi pas rastin e fundit që e kemi testuar dhe ai ka dal negativ”, tha Sejdiu.
Pavarësisht që kanë dal nga karantina, përveç masave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar të Shëndetit Publik, në këtë komunë mbeten në fuqi edhe për dy javë tjera masat shtesë që i kishte vendosur komuna pasi ishte futur në karantinë i gjithë territori i kësaj komune.
“Do të vazhdojmë edhe për dy javë tjera me masat që i kemi pas shtuar vetë si komunë gjatë periudhës së karantinës. Si puna me staf të reduktuar në Administratën Komunale dhe në Qendrën e Mjekësisë Familjare. Ne nuk duam ti heqim këto masa pavarësisht që kemi dal nga karantina”, tha Sejdiu.
Megjithëse janë në rënie rastet e reja të infektuarve ne virusin korona Covid-19, kryetari i kësaj komune Zenun Elezaj, iu ka drejtuar publikisht qytetarëve të komunës së Klinës që t’a shtojnë kujdesin dhe të vazhdojnë të i zbatojnë udhëzimet e mjekëve dhe vendimet e institucioneve lokale e qendrore.
“Rreziku për përhapje të virusit po zvogëlohet, por për ta mposhtur plotësisht nuk duhet të krijojmë komoditet”, iu ka thënë Zenuni bashkëqytetarëve të tij.