Avokati i Popullit, Hilmi Jashari ka thënë në DESKU të KTV-së se “mund të ketë” kërkesa për dëmshpërblime nga qytetarët, që janë arrestuar për shkelje të masave të Qeverisë.
“Numri total nga Policia e Kosovës duket të jetë mbi 700 ose 800 raste të arrestimeve, por numri i personave variron, pasi që kanë mundur të arrestohen më shumë persona”, ka thënë Jashari, duke thënë se megjithatë një gjë e tillë nuk do të paraqiste ngarkesë të madhe për shtetin.
“Shuma që jepet për kompenzime është 20 euro në ditë”, ka thënë ai.
Ai është pyetur rreth asaj nëse ka bazë ligjore për arrestimet e atyre që shkelin masat. Ka thënë se është duke u bërë një analizë ligjore.
“Në momentin kur është janë vendimet nga Qeveria, institucionet janë dakorduar që kjo është fryma që duhet të ndiqet. Por, me vendimin e Kushtetueses dhe ministria më vendimin e dytë që nxori, kjo i zuri institucionet e papërgatitura”, ka thënë ai.
Avokati i Popullit ka thënë po ashtu se në këtë situatë ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut.
“Por në kuptimin e përgjithshëm ka qenë e vështirë të përcaktohet se ndonjë masë ka prekur një kategori të caktuar”, ka thënë Jashari, duke thënë se është e pashmangshme që në gjendje të tilla të mos ketë raste individuale.
Ai ka folur për ankesat që kanë ardhur në adresë të tij.
“Në ditën e parë ose të dytë kemi pranuar një ankesë për publikimin e emrave, që është në të vërtetë shkelje e privatësisë”, ka thënë ai. I pyetur rreth shkeljes së privatësisë nga ana e politikanëve, ai ka thënë se një gjë e tillë “është rreptësisht e ndaluar”.
Ai ka thënë se në adresë të tijën ka pasur edhe ankesa rreth mospërkthimeve të dokumenteve zyrtare.
“Pasi fjala është për emergjencë globale shëndetësore, edhe masat kanë qenë të paprecedent. Emërues i përbashkët i reagimeve nga të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë ka qenë se masat janë të domosdoshme dhe që duhet të ketë kufizime për ta mbrojtur jetën e qytetarëve, që është e drejtë absolute”, ka Jashari ai, duke shtuar se kur është e drejta në jetë, “nuk guxon të ketë asnjë shmangie”.
“Edhe ne e kemi vlerësuar se e drejta në jetë është parësore”, ka thënë ai.