Këshilli i Prindërve të Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media kanë reaguar pas paralajmërimeve të fundit nga SBASHK-u për grevë në arsim
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) i ka dhënë ultimatum Qeverisë që deri të premten e ardhshme të ndërmarrë veprime konkrete në mënyrë që të ngrihen për 30 për qind koeficientet për mësimdhënës në Projektligjin për Paga.
Në të kundërtën, sipas tyre, do të ketë “bllokadë në gjithë sistemin arsimor”.
E në gjithë këtë situatë, Këshilli i Prindërve vlerëson se “viktima më e madhe janë nxënësit”.
“Këshilli i Prindërve të Kosovës është i shqetësuar për paralajmërimin e grevës nga SBASHK-u që do fillojë më 14 janar 2019, ku prapë do të viktimizohen nxënësit me humbje të mësimit. Këshilli i Prindërve të Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës që të ngrejë koeficientet e pagave për mësimdhënës, mjekët dhe për shërbyesit civilë të Kosovës që parashihen me Ligjin për pagat e nëpunësve publikë, sepse të gjithë e meritojnë një pagë më të dinjitetshme në mënyrë që arrihet një paqe sociale në Kosovë, e cila po mungon tash e sa kohë”, thuhet në komunikatën për media nga Këshilli i Prindërve të Kosovës.
Në këtë komunikatë theksohet se KPK-ja konsideron që kryesia e SBASHK-ut po tregohet tejet e papërgjegjshme dhe e papjekur “ngase po e përjashton dialogun social si mjet dhe si vlerë demokratike për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe në vend të tij po përdorë grevën si mjetin e fundit dhe gjithmonë po tregohet e padurueshme, duke mos i lënë kohë as qeverisë për të punuar në drejtim të arritjes së një marrëveshjeje”.
Në fund, prindërit kanë ftuar SBASHK-un të heqë dorë nga greva dhe mësimi të nisë ashtu siç është planifikuar.