Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së ku ka raportuar drejtori i kësaj Agjencie, Kreshnik Gashi, është diskutuar lidhur me gjendjen e sigurisë në Kosovës gjatë kohës së pandemisë.
Mbledhja ka qenë e mbyllur për medie, ndërkohë që pas takimit ka folur vetëm anëtari i Komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Arbër Rexhaj.
Ai ka thënë se drejtori i AKI-së, Kreshnik Gashi, nuk ka dhënë kurrfarë raporti.
“Përkundër insistimit të pyetjeve tona drejtori gjeti një gjuhë të ikjes nga pothuajse të gjitha përgjigjet e tij, duke u thirrur në konfidencialitet. Ai nuk iu është përgjigjur pyetjeve rreth deklarimeve të Behgjet Pacollit, kur ai thotë që ka pasur lajme për sulm terrorist ndaj meje, ka pasur pyetje që kanë të bëjnë me pretendimet e presidentit Hashim Thaçi, kur thotë se Albin Kurti dhe ka qenë në dhomën e përgjimeve”, është shprehur Rexhaj, raporton KOHA.
Sipas tij ky nuk është arsyetim pasi që ata si deputetë nënshkruajnë deklaratën e konfidencialitetit dhe se nëse do të kishte deklarata konfidenciale ata nuk do t’i bënin publike.
“Në fund të mbledhjes deputetët pothuajse njëzëri i thanë që ai detyrohet të raportojë para këtij komisionit mbi bazën e interesimeve të deputetëve që janë pjesë e këtij komisioni”, ka theksuar Rexhaj.
Ndërkohë që sa i përket gjendjes së sigurisë gjatë pandemisë, Raxhaj ka thënë se për atë duhet të flas vetë Gashi.
Për media pas takimit nuk është deklaruar Gashi e as kryetari i Komisionit, deputeti i PDK-së Fatmir Xhelili. I kontaktuar nga mediat Xhelili ka thënë se ka dal nga Kuvendi. Ai nuk ka dal nga hyrja e ndërtesës së Kuvendit ku qëndrojnë mediat zakonisht për të marr deklarata pas mbledhjes së komisioneve.











