Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka njoftuar pensionistët se nuk janë të obliguar të paraqiten në zyrat e pensioneve për t’u lajmëruar deri sa të kalojë situata e pandemisë në vend.
E gjithë kjo, sipas ministrit Reçica, po bëhet me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë COVID-19, duke zbatuar të gjitha masat e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK-ja, për mbrojtjen e shëndetit të tyre.
Ministri ka njoftuar se do të vazhdojë të realizohet pagesa e pensioneve pa asnjë ndalesë deri në tejkalimin e kësaj situate.
Ndërkohë për të gjithë ata që në këto kohë kanë dalë në pension gjatë kësaj periudhe dhe që kanë fituar të drejtën e pensionit për herë të parë, do t’iu njihet e drejta dhe beneficionet për pension nga data e pensionimit, në rast se nuk kanë mundësi të paraqitjes fizike në zyrat e pensioneve. /Buletini Ekonomik/