Të gjitha institucionet arsimore në Kosovë të hënën kanë nisur grevën e përgjithshme derisa si kërkesë kyçe është përmendur rritja e pagave në të gjitha nivelet arsimore.
Këshilli Qendror Grevist në sektorin e arsimit ‘kërkon që të ngrihen koeficientet e parapara në projektligjin e pagave për punonjësit arsimorë dhe të kulturës, të barabartë me sektorët tjerë që janë nëpunës të shërbyesve publikë ose ngritje koeficienti për punonjësit e arsimit së paku 30 për qind’.
Po ashtu, kërkohet të zbatohet në tërësi kontrata kolektive për arsimin e Kosovës, e nënshkruar nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës.
Projektligji për pagat aktualisht është duke u shqyrtuar në Komisionin për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në Kuvendin e Kosovës dhe me procedurë të shpejtë pritet të kalojë për miratim në njërën nga seancat e para të Kuvendit. /Express/