Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, ka thënë se bizneset në Kosovë sot e kanë afatin e fundit për deklarimin dhe pagimin e tatimeve për tremujorin e dytë (TM2) të vitit dhe nëse nuk respektohet kjo atëherë do të pasojnë gjoba. Ai ka thënë se nuk ka një vendim për shtyrje të afatit.
“Tani më nuk kemi vendim tjetër për shtyrje të deklarimeve të pagesave të tatimeve dhe afatet e rregullta janë të tilla. 15 korriku është afati i fundit për deklarim dhe pagesë të tatimit ose paradhënie për këstet tremujore për tatim në korporata dhe tatim në të ardhura personale. Bizneset veç janë të njoftuara për këtë realitet. Besojmë dhe shpresojmë se të gjitha bizneset do t’i përgjigjen kërkesave ligjore për të deklaruar dhe paguar me qëllim të shmangies nga aplikimi i ndëshkimeve të cilat sistemi në mënyrë automatike do t’i aplikojë nëse deri më datën 15 korrik në orën 24:00 nuk deklarojnë e paguajnë tatimet ashtu siç kërkohet me ligj”, ka thënë Murtezaj për KosovaPress.
Ai ka thënë se bizneset e kanë mundësi që të parashtrojnë kërkesë për marrëveshje të pagesës me këste.
“Pritjet tona janë që bizneset do t’i përgjigjen pozitivisht deklarimit të pagesave të tatimeve, duke ditur sigurisht edhe për vështirësitë financiare që i kanë dhe krijimi i situatës së tillë, ku mund të themi të një shoku ekonomik për shkak të Covid-19 dhe sigurisht që kanë vështirësi për të paguar, mirëpo edhe në këto raste ligji krijon mundësi që të gjithë ato biznese të cilat kanë vështirësi financiare të deklarojnë obligimet tatimore dhe njëkohësisht mund të parashtrojnë kërkesën për hyrje të marrëveshjes së pagesës me këste”, thotë ai.