Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi, ka folur për testet serologjike për COVID-19, ku tha se gjatë ditës do të testohen 50 qytetarë.
Gashi ka thënë se qytetarët të cilët i vizitojnë Qendrat e Mjekësisë Familjare, mjeku do t’i përcaktojë personat që duhet ta kryejnë testin serologjik.
“Të gjithë qytetarët që do të vizitojnë qendrat familjare, do të jetë në kompetencën e mjekut familjarë nëse do të jetë e nevojshme që të realizohet ky test për qytetarin apo jo. Testet nuk do të kryhen me vetë dëshirën e qytetarëve, për të hequr merakun nëse e kanë pasur virusin apo jo. D.m.th këto janë teste serologjike të cilat krijojnë për antitrupat e krijuar në organizimin e njeriut dhe nuk është çështje dëshire. Kjo është për çështje hulumtimi”, ka thënë ai në RTV Dukagjin.
Ai tha se pas përgatitjes disa ditore dhe kalibrimeve në aparaturë nga ekspertët e kësaj lëmie sot veç është përcjellë lista e cila është krijuar nga dje.
“D.m.th sot e kemi listën e parë të qytetarëve të cilët do t’i nënshtrohen testeve. 50 qytetarë do të testohen në ditë. Kjo do të jetë gjatë kësaj jave, por edhe javëve në vazhdim. Do të rritet kapaciteti edhe për numrin e qytetarëve edhe për hulumtimin të cilët realisht e kemi nisur këtë procedurë”, tha Gashi, derisa bëri të ditur se testimet do të kryhen në laboratorin i cili gjendet tek mensa e studentëve.