Gati gjysma e bizneseve që janë aktive në vend ende operojnë pa arka fiskale, ndonëse cilësohet si pajisje e obligueshme për regjistrimin dhe vërtetimin e furnizimit të mallrave dhe shërbimeve të bizneseve.
Numri i bizneseve në Kosovë që ende nuk janë të fiskalizuara, sipas zyrtarëve ligjor të ATK-së është gjithsej 21 mijë e 517 biznese.
Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e fundit të saj për ATK-në ka hasur në disa ngecje rreth pajisjes së bizneseve me arka fiskale, gjë që mund të rezultojë me një konkurrencë jo të barabartë ndërmjet bizneseve që zhvillojnë aktivitete ekonomike.
Administrata Tatimore e Kosovës edhe pas kaq vitesh nuk ka arritur t’i fiskalizojë shumicën e bizneseve. Sipas Auditorit, ajo në vitin 2019 kishte treguar progres në fiskalizimin e bizneseve krahasuar me vitet e kaluara, ku nga 23,271 bizneset sa ishin të fiskalizuar deri në në fund të vitit 2018, numri i bizneseve të fiskalizuara deri në fund të vitit 2019 ishte rritur në 32,811. Mirëpo, ATK-ja ka ende shumë punë për të bërë në këtë drejtim, thonë nga ZKA.
Aktualisht në vend, sipas Auditorit të Përgjithshëm janë 32 mijë e 811 biznese që janë fiskalizuar, dhe mbi 21 mijë ende në proces të fiskalizimit.
Ndërkohë, sipas zyrtarëve përgjegjës në ATK, procesi i fiskalizimit është i vazhdueshëm, sepse në vazhdimësi hapen dhe mbyllen bizneset. Sipas tyre, ATK-ja ka pasur mjaft vështirësi në realizmin e këtij projekti, duke pasuar parasysh rrethanat dhe ekonominë e Kosovës dhe rezistencën e vazhdueshme për koston e pajisjeve fiskale.
E mospajisja e tatimpaguesve me PEF, ndikon në rritjen e rrezikut për mungesën e informatave gjatë veprimtarive ekonomike si dhe mundësinë e evazionit tatimor.
“Gjithashtu, kjo rezulton me një konkurrencë jo të barabartë ndërmjet bizneseve që zhvillojnë aktivitete ekonomike”, thuhet tutje në këtë raport.
Auditori rekomandon që Drejtori i Përgjithshëm duhet t’i identifikojë të gjitha rastet e tatimpaguesve të cilët janë të obliguar të pajisen me Pajisje Elektronike Fiskale (PEF) dhe të sigurohet që janë pajisur me arka fiskale konform kërkesave ligjore. /Buletini Ekonomik/








