Në përputhje me të dhënat më të fundit nga Zyra Gjermane e Statistikave, GDP-ja gjermane shënoi një rënie rekord në tremujorin e dytë të këtij viti.
Në krahasim me tremujorin e mëparshëm, Prodhimi i Brendshëm Bruto (GDP) ra me 10.1 për qind dhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, pra krahasuar me tremujorin e dytë të 2019-s, me 11.7 për qind.
Kjo është rënia më e madhe që nga fillimi i llogaritjeve tremujore të GDP-së për Gjermaninë në vitin 1970, e cila është edhe më e theksuar sesa gjatë krizës ekonomike 2008/2009, transmeton Telegrafi.
Kujtojmë, shumë ekspertë kanë parashikuar se shteti gjerman do të ndiejë një rënie të konsiderueshme të ekonomisë këtë vit.
Në fund të prillit, qeveria gjermane njoftoi se priste që ekonomia të binte 6.3 për qind këtë vit për shkak të pandemisë së coronavirusit, më e madhe që nga shpallja e republikës federale në vitin 1949.
Ekspertët ekonomikë thanë se pavarësisht ndihmës së konsiderueshme shtetërore, ata presin një valë të madhe falimentimesh dhe shtim të numrit të papunëve për tre milionë njerëzish.
Instituti i Kërkimit të Punësimit, me qendër në Nuremberg, gjithashtu parashikoi në prill se ekonomia gjermane do të binte me 8.4 për qind këtë vit. /Telegrafi/