Partia Demokratike e Kosovës (PDK) si sponsorizuese e projektligjit për mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), vlerëson se lufta çlirimtare duhet të institucionalizohet. Dhe kjo, sipas deputetit Gazmend Bytyçi, bëhet vetëm përmes këtij projektligji.
Sot, Projektligji për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së nuk kaloi në lexim të parë, pasi morën pjesë vetëm 36 deputetë në votim. 35 votuan për e një kundër. Të tjerët nuk morën pjesë fare.
“Është e çuditshme se si kolegët tanë nuk patën guximin të jenë brenda sallës për votim, një pjesë qëndruan jashtë e një pjesë brenda, por nuk votuan. I kuptojmë disa prej shqetësimeve të kolegëve, por ne i kemi siguruar që në leximin e dytë t’i bëjmë amandamentimet e nevojshme. E rëndësishme është që me këtë ligj ta institucionalizojmë luftën çlirimtare, si një vlerë sublime. Çdo seance që do të kemi do të jetë pikë e parë ky projektligj, pra kemi kohë ende, pra të reflektojnë dhe të arrijmë deri te votimi i tij”, tha Bytyçi në konferencën e PDK-së, të thirrur menjëherë pasi nuk u votua projektligji në Kuvend.