KEK-u ndihmon të rinjtë e dy komunave me trajnime profesionale falas

Korporata Energjetike e Kosovës si pjesë të përgjegjësisë së saj sociale, ka marrë vendim që t’i trajnoj 100 të rinj dhe të reja në Qendrën e trajnimeve që funksionon në kuadër të kësaj korporate.

Për shkak se kjo korporatë operon në territorin e komunës së Fushë Kosovës dhe asaj të Obiliqit, të rinjtë dhe të rejat duhet të jenë nga këto dy komuna.

Reklama e sponzorizuar

Saldimi dhe elektrika janë vetëm dy nga fushat që këta qytetarë mund të trajnohen, përderisa të gjitha shpenzimet do të mbulohen nga vet korporata.

Skënder Bucolli –Zëdhënës i KEK-ut, theksoi: “Duke qenë se aftësimi profesional në vendin tonë është shumë i rëndësishëm dhe duke pas parasysh se Korporata Energjetike e Kosovës posedon një qendër trajnuese, e cila është e vetmja në rajon për profile të ndryshme dhe ka laboratorë që janë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Korporata Energjetike e Kosovës ka vendosur që të subvencionoj 100 studentë ose të rinj dhe të reja, të cilët kanë nevojë për aftësime profesionale. Me këtë rast, kemi themeluar një program, i cili do të varet prej aplikimeve që do të bëjnë 100 të rijnë dhe të rejat e këtyre dy komunave në dy drejtoritë e arsimit të Fushë Kosovës dhe Obiliqit, për arsye se korporata operon në këto dy komuna. Prandaj u bëjmë ftesë të gjithë të interesuarve për këto trajnime, që të drejtohen në drejtoritë e arsimit të këtyre dy komunave dhe të aplikojnë për trajnime që kanë interes”.

Kjo qendër ka kapacitet për pranimin e një numri të madh të të interesuarve në lëmi të ndryshme.

Nga gjithsej 7 lëmi që janë, secila prej tyre ka nga 1 deri në 18 module, andaj me të përfunduar trajnimin në këtë qendër, të interesuarit mund të pajisen edhe me certifikatë të njohur ndërkombëtarisht.

“Qendra e trajnimit ofron në 7 lëmi trajnime, në mekanikë, saldim, në siguri në punë, në teknologji informative, teknologji elektrike e kështu më radhë. Qendra e trajnimit ofron edhe kualifikimin e salduesit, kualifikimin e metalpunuesit, kualifikimin për operim të makinerisë së rëndë dhe kualifikimin për teknologji elektrike apo instalues elektrik etj. E rëndësishme është të ceket se ne mbajmë trajnime që klienti apo qytetari fiton një certifikatë ndërkombëtare dhe ajo është në saldim, duke bashkëpunuar me DEFAES-in gjerman dhe me odën gjermane të Dortmundit, si dhe operimin me makineri të rëndë me Heavy Cert-in amerikan, që është licencë ndërkombëtare dhe është shumë e mirë dhe e lehtë për tu gjindur në tregun e punës”. ka deklaruar: Skender Berisha – Koordinator për cilësi në Qendrën e trajnimeve të KEK-ut.

Qendra e trajnimeve në kuadër të Korporatës Energjetike të Kosovës, funksionon që nga viti 2005.

Fillimisht ishte themeluar për nevoja të punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje, por me ngritjen e kapaciteteve tani bënë trajnimin dhe kualifikimin, edhe për qytetarët e Kosovës.