Rënie drastike e fluturimeve në Aeroportin e Prishtinës

Masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, si luftë kundër përhapjes së pandemisë Covid-19 këtë vit, kanë ndikuar shumë edhe në rënien e fluturimeve në Aeroportin e Prishtinës.

Në krahasim me vitin e kaluar, ky vit ka një rënie drastike të numrit të fluturimeve e po ashtu edhe të numrit të udhëtarëve, që si destinacion udhëtimi kanë këtë aeroport, përcjell Buletini Ekonomik.

Vetëm në në tremujorin e dytë të vitit 2020 (përkatësisht në muajt prill-maj-qershor), numri i fluturimeve nga Aeroporti “Adem Jashari” ishte vetëm 94, që në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM2 2019) ka pasur ulje për 96%, si rezultat i masave kundër COVID-19. Përqindje kjo e fluturimeve për 23 herë më e ulët sesa fluturimet në vitin 2019.

Reklama e sponzorizuar

Në të njëjtën periudhë, por atë të vitit 2019, numri i fluturimeve nga ky aeroport ishte 2 mijë e 173 ( duke përfshirë fluturimet vajtje-ardhje).

Ndërkaq, tre muajt e parë të 2020-s nuk e kishin vërejtur në masë të madhe këtë rënie. Në tremujorin e parë (janar-shkurt-mars) prej aeroportit të Prishtinës ishin realizuar 1 mijë e 534 fluturime në krahasim me  1 mijë e 783 fluturime që ishin realizuar në të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Rënie rekorde është parë edhe tek numri i udhëtarëve përmes rrugëve ajrore. Vetëm 19 mijë persona është numri i udhëtarëve që kanë zgjedhur aeroplanin si mjet udhëtimi gjatë periudhës prill-maj-qershor të këtij viti. Kurse në vitin e kaluar, pra më 2019, në po të njëjtën periudhë, numri i udhëtarëve përmes këtij aeroporti ishte 583 mijë. Ndërsa tremujori i parë i këtij viti dhe tremujori i njëjtë i vitit 2019, kanë një shifër më të përafërt.  431 mijë udhëtarë kanë qenë në tre muajt e parë të këtij viti, në krahasim me 476 mijë nga viti i kaluar. Pra, duke u nisur nga krahasimet me vitin e kaluar vetëm për tremujorin e dytë të këtij viti dhe të atij paraprak, kemi ulje të numrit të udhëtarëve për 96.79%.

Ndryshe, pas më shumë se tre muajsh, Aeroporti i Prishtinës i është rikthyer punës dhe organizimit normal të fluturimeve për qytetarët, ndonëse në fillim me një ritëm më të ngadalësuar në krahasim me vitet e kaluara, e gjithashtu edhe me shumë masa mbrojtëse si luftë kundër përhapjes së mundshme të infektimeve mes udhëtarëve.(Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/