Në pritje të Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike, Komisioni për Buxhet shqyrton amendamentet

Komisioni për Buxhet dhe Transfere javën e kaluar nuk e kishte rishqyrtuar në lexim të dytë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike, ndërsa sot ky Komision ka vendosur që t’i shqyrtoj tetë amendamentet dhe raportin për këtë Projektligj.

Më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kishte votuar në lexim të parë këtë Projektligj, shkruan Telegrafi.

Aktualisht ky Projektligj është në fazë e shqyrtimit nëpër komisione.

Reklama e sponzorizuar

Sipas përfaqësueseve të biznesit, mosmiratimi i këtij Projektligji është mungesë e mirëkuptimit të nevojave të sektorit privat.

Kryetari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi për Telegrafin ka thënë se, deputetët duhet të reagojnë në përputhje me situatën duke e miratuar në lexim të dytë këtë Projektligj.

“Pjesa prej 60 milionë euro ka qenë i mirëseardhur, është shumë i vogël krahasuar me nevojat, sepse për herë të parë që nga fillimi i pandemisë mbështetën nga një shumë prej 290 euro për punëtorë, ku në shumicën e rasteve nuk është as gjysma e pagës së një punëtori për një muaj. Biznesi ka nevojë që deputetët të na dëgjojnë problemet, të reagojnë në përputhje me situatën”, tha Krasniqi.

Edhe për drejtorin ekzekutiv të Odës Ekonomike të Kosovës, Arian Zeka, përgjegjësia për mosmiratimin e Projektligjit për Rimëkëmbje rëndon mbi deputetët e partive politike që drejtojnë ekzekutivin.

“Mungesa e kuorumit për votimin e Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike për herën e pestë tregon mungesën e mirëkuptimit për nevojat e sektorit privat dhe vendimmarrjes më të shpejtë për sa i përket kornizës ligjore për rimëkëmbjen ekonomike pas shpërthimit të pandemisë COVID-19. Dhe derisa sektori privat do të donte të shihte konsensus më të gjerë politik, duhet theksuar se përgjegjësia për kalimin e Projektligjit rëndon mbi deputetët e partive politike që drejtojnë ekzekutivin”, kishte thënë Zeka për Telegrafin.

Nëse Projektligji siguron votat e nevojshme në seancë, kryetarja e Kuvendit e nënshkruan dhe e dërgon tek Presidenti për shpallje. Ndërkaq, Presidenti ka afat tetë ditë për ta shpallur ose për ta kthyer atë për rishqyrtim në Kuvend.

Në dispozitat e këtij Projektligji është plotësimi dhe ndryshimi e disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Ky do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij Ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.

Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.