Tolaj themeloi njësi të veçantë në AKP për shitjen e pronave pa tender publik

Agjencia Kosovare e Privatizimit -(AKP)

Rreth 200 kontrata janë nënshkruar me procedura të negocimit direkt, duke e shmangur tenderin publik, nga menaxhmenti i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), gjatë likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore.

Vlera e këtyre pronave në total arrin në 8.8 milionë euro.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Drejtori ekzekutiv në AKP, Valon Tolaj, gjatë raportimit të tij në Komisionin Hetimor të Kuvendit rreth privatizimit në Kosovë.

Reklama e sponzorizuar

Në vitin 2019, menaxhmenti nën drejtimin eTolajt krijoi njësi të veçantë në AKP për shitjen e pronave me negocim direkt.

Tolaj ka thënë se prona me negocim direkt janë shitur që nga viti 2010 dhe se baza ligjore për këtë ekziston.

“Kur kam ardhur unë në agjenci kam gjetur 1600 kërkesa nga qytetarë të ndryshëm të interesuar për të blerë me negocim direkt. Prej tyre një numër shumë i vogël i tyre janë trajtu në të kaluarën. Por mënyra e trajtimit të kërkesave mu ka dukë pak e palogjikshme, sepse janë trajtu shumë pak. Në këtë mënyrë kemi themelu një njësi të veçantë”, ka thënë Tolaj, para deputetëve.

Negocimi direkt kryesisht zhvillohet tek asetët të cilat, në bazë të kornizës ligjore, është e pamundshme të zhvillohen procedura tenderimi, për shkak të natyrës së atyre aseteve. /Buletini Ekonomik/