Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) gajtë ditë së sotme ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin tetor të 2020-s, ku thuhet se edhe gjatë këtij muaji eksporti mbulon importin me 15.9%.
Këto të dhëna nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për (-5.5%) në muajin tetor 2020, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2019, gjegjësisht në vlerë prej 267.0 milionë Eurosh, krahasuar me deficitin prej 282.7 milionë Eurosh në vitin 2019.
Eksporti i mallrave në muajin tetor 2020 kishte vlerën 50.6 milionë euro, ndërsa importi 317.6 milionë euro, që është një rritje prej 56.6% për eksport dhe 1.0% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 32.8% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12.3% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 11.0% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 9.0% e përbëjnë produktet bimore; 8.8% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 6.0% e përbëjnë produktet minerale; 5.4% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.
Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 12.1% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 11.5% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11.3% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 10.5% e përbëjnë produktet minerale; 9.0% e përbëjnë mjetet e transportit; 9.0% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 7.2% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 16.8 milionë Euro, ose rreth 33.2% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 26.6%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (9.5%), Italia (7.5%), Holanda (3.6%), etj.
Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 133.4 milionë Euro, ose 42.0% e importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-16.8%). Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (12.2%), Italia (5.9%), Greqia (3.1%), Polonia (3.0%), etj.
Në muajin tetor 2020, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 20.2 milionë Euro, ose 40.0% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 41.0%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (16.4%), Maqedonia e Veriut (9.1%), Serbia (8.3%), Mali i Zi (4.3%).
Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin tetor 2020, arritën në 68.7 milionë Euro, ose 21.6% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 52.7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (7.3%), Shqipëria (7.1%) dhe Maqedonia e Veriut (5.1%).
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 13.5 milionë Euro, ose 26.8%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: Zvicra (9.4%) dhe SHBA (6.6%).
Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 115.5 milionë Euro, ose 36.4%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (12.9%) dhe Kina (10.8%). /Buletini Ekonomik/