Vala e Telekomit ka humbur nga kontrata me Z-Mobile 9-11 milionë euro në vit.
Lëvizja Vetëvendosje organizoi konferencë në lidhje me përfundimin e kontratës së Telekomit të Kosovës me Z-Mobile. Në konferencë folën deputeti i Lëvizjes, Liburn Aliu dhe drejtuesi i Komitetit për Komunikime Elektronike dhe Postare, Fatban Bunjaku, njofton kumtesa partiake, transmeton Koha.net.
Më 17 janar 2019 është ngritur komision nga Bordi i Telekomit me përshkrimin e punës ‘Negociim i kontratës me Zmobile’. Komisioni duket sikur është formuar për zgjatjen e kësaj kontrate korruptive sesa për ndërprerjen apo rinegociimin e saj në favor të Telekomit.
Fatban Bunjaku u shpreh se, “ky është momenti që pa hezitim Telekomi së paku të shpëtojë të ardhmen e tij nga dëmi i kësaj kontratë, pa harrur që për këtë kontratë duhet të ndodhë një proces gjyqësor i cili duhet të kishte dhe pasoja financiare për Z-mobile. Dëmi i është shkaktuar Valës për përfitim vetanak dhe jo vetëm, edhe për gjunjëzim të Valës me plan për ta blerë vetë në një privatizim të orkestruar. Edhe lëvizja e stafit në pozita të larta në Telekom drejt Z-Mobile, duke i komprementuar interesat e operatorit publik, flet në këtë llogari.”
Deputeti Liburn Aliu tregoi përbërjen e komisionit, me anëtarë Trim Musliun, ish drejtor i marketingut, ish ud ekzekutiv, aktualisht nuk dihet qartë pozicioni i tij nw Telekom, Drejtori Financiar Armend Osajn, Drejtori i Zyrës Ligjore Sebaudin Ramaxhiku, zyrtari Arben Shabani, pozicioni i të cilit nuk dihet përpos që është afër menaxhmentit, dhe u.d. Drejtor Teknik Faton Isufi.
“I bëjmë thirrje Kryeministrit Haradinaj dhe Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, si përfaqësues të aksionarit të vetëm të Telekomit të Kosovës, pra Qeverisë, të japin udhëzimet për bordin e Telekomit, rrjedhimisht për komisionin e ngritur për këtë temë, që ta konkretizojnë ndërprerjen përfundimtare të kësaj kontrate. Pra, mos të lenë hapur asnjë shteg për vijimin e saj”, u shpreh deputeti Aliu.