‘Gjurmët’ në SEECAO ‘vulosin’ bashkëpunimin e NOA-s me EFT-n e Vuk Hamoviçit

Kompania “EFT”, në pronësi të Vuk Hamoviç, gjatë vitit 2024, në pjesën më të madhe të kohës, i pati “në pronësi” linjat e transmisionit nga Mali i Zi drejt Kosovës, prej nga, kompania nga Tirana, “Noa Energy Trade”, e solli rrymën në Kosovë. Dëshmitë që dalin nga Zyra e Ankandeve (SEECAO) në Podgoricë, zbardhin tregtarët kryesor që e drejtuan tregun ballkanik të energjisë elektrike gjatë vitit 2024.

Agon Sinanaj

Pjesën më të madhe të kohës gjatë vitit 2024, linjat e transmisionit nga Mali i Zi drejt Kosovës, kanë qenë “në pronësi” të kompanisë EFT, që është në pronësi të oligarkut serb të energjetikës, Vuk Hamoviç. Nga ky shtet, Mali i Zi, është rruga kryesore prej nga kompania nga Tirana, Noa Energy Trade, e solli energjinë elektrike në Kosovë.

Reklama e sponzorizuar

Dëshmitë që dalin nga Zyra e Ankandeve në Podgoricë (SEECAO), tregojnë se kompania EFT, gjatë vitit 2024, bleu kapacitetet ndërkufitare Mali i Zi-Kosovë, për pjesën më të madhe të vitit.

SEECAO është mekanizmi rajonal ku blihen përmes ankandeve kapacitetet ndërkufitare, apo linjat e transmisionit për bartjen e energjisë. Përveç çmimit të energjisë elektrike në bursë, një kosto tjetër që ngarkohet në çmim është edhe kostoja për transmision, apo bartjen e energjisë.

“Lufta” kryesore mes tregtarëve ballkanik të energjisë bëhet në SEECAO, pasi tregtari që i merr në pronësi linjat e transmisionit, e drejton edhe tregun, si dhe ndikon në çmimin final të energjisë elektrike.

Në SEECAO, kapacitetet ndërkufitare mund të blihen sipas vitit, muajve dhe ditëve. Në të trija rastet, kompania EFT, sipas ankandeve publike në SEECAO, i kishte në pronësi linjat e transmisionit për pjesën më të madhe të kohës gjatë vitit 2024.

“Linjat e transmisionit “në duart” e EFT&NOA

Buletini Ekonomik ka analizuar ankandet për kapacitete ndërkufitare në SEECAO për vitin 2024. Si te ankandet vjetore, si të ato mujore, dhe të ankandet ditore, dominon kompania EFT dhe Noa Energy Trade.

Nga të dhënat që ka siguruar Buletini Ekonomik prej Doganave të Kosovës, thuhet se energjia elektrike në vitin 2024, kryesisht është importuar përmes linjave të transmisionit nga Mali i Zi. Për këtë, analiza e ankandeve është fokusuar në blerjen e kapaciteteve ndërkufitare prej Malit të Zi drejt Kosovës.

Kapacitetet ndërkufitare të transmsionit mes shteteve, ka raste kur janë të lira, dhe shtetet në rajon, përkatësisht Opertatorët e Sistemit dhe Tregut, që në Kosovë është KOSTT-i, paguajnë një kosto për shfrytëzimin e linjave të transmisionit të shtetit tjetër.

Por, ka raste kur në lojë futen edhe tregtarët e energjisë të cilët i blejnë në SEECAO linjat e transmisionit për një kohë të caktuar, dhe më pas aplikojnë kosto shtesë për ta nxjerrë fitimin e tyre. Ky ishte rasti me importin e energjisë elektrike gjatë vitit 2024.

Linjat e transmisionit prej nga Kosova importoi rrymë, ishin kryesisht “në duart” e tregtarëve të energjisë elektrike.

Sipas dëshmive në SEECAO që ka analizuar Buletini Ekonomik, për vitin 2024, kapacitetet ndërkufitare mes Malit të Zi dhe Kosovës i kishte kompania EFT dhe Noa Energy Trade.

Ankandi vjetor në SEECAO për vitin 2024 për shitblerjen e linjave të transmisionit

Përveç ankandeve vjetore, janë analizuar edhe ankandet ditore. Edhe këtu dominon kompania EFT. Ta zëmë, më 30 shtator 2024, kompania EFT i pati në pronësi kapacitetet e transmisionit drejt Kosovës. Ajo që bie në sy këtu është se kapacitetet janë blerë edhe nga dega e EFT-së në Kosovë, ani pse EFT “zyrtarisht” nuk ka importuar rrymë për Kosovën gjatë vitit 2024.

Bosnja, shteti ku EFT- ja e bleu rrymën

Duke ndjekur logjikën e ankandeve në SEECAO, Buletini Ekonomik ka analizuar edhe burimin prej nga Noa Energy Trade e solli energjinë elektrike në Mal të Zi.

Bosnja është eksportuesi më i madh i energjisë elektrike në Ballkan. Ky shtet eksporton rreth 25% të energjisë elektrike të saj, e cila prodhohet kryesisht duke përdorur qymyr të prodhuar në vend ose nga hidrocentralet.

Nga hulumtimi del se EFT-ja – prodhuesit kryesor ku e blenë energjinë elektrike, i ka kryesisht në Bosnje Hercegovinë, përkatësisht në territorin e ‘Republika Srpska’. Kjo dëshmohet edhe me ankandet e organizuara nga SEECAO për kapacitetet ndërkufitare Bosnje-Mal të Zi, ku edhe aty shihet se dominon kompania EFT.

Buletini Ekonomik ka analizuar ankandet për kapacitete kufitare Bosnje-Mal të Zi për vitin 2024. Kompania EFT është edhe të ankandet vjetore, si dhe te ato mujore. Por aty, mungon kompania Noa Energy Trade, e cila sipas të dhënave nga SEECAO, është prezente me kapacitete ndërkufitare vetëm te linjat mes Malit të Zi dhe Kosovës.

Sipas të dhënave të bëra publike në SEECAO, përmes Malit të Zi, në Kosovë ka hyrë energji elektrike në raste edhe deri në 210 MWh, ndërsa importi si total nga kompania Noa Energy Trade shkon rreth 2,000 GWh energji elektrike, që është mbi 90 për qind e totalit nga importi për vitet 2023-2024. /Buletini Ekonomik/

LEXO EDHE: 

‘Lidhjet’ e pronarit të “NOA”-s, Gentian Sula me drejtuesit e “EFT”-së në Shqipëri, çojnë te oligarku serb i energjetikës, Vuk Hamoviç