Investimi në fuqi punëtore nënkupton ndërmarrjen e të gjithë hapave të cilët shpiejnë në rritjen e produktivitetit të punëtorit dhe në të njejtën kohë edhe në zhvillimin e kompanisë.
Për të siguruar përshtatje të punëtorëve me nevojat e kompanisë, procesi rekomandohet të fillojë me rekrutim të qëlluar dhe trajnim fillestar rreth kulturës dhe synimeve të kompanisë. Njëkohësisht, nevojitet edhe fuqizimi i punonjësve përmes besimit, trajnimeve dhe investimeve të tjera që ata të zhvillohen dhe të ndjehen mirë në institucionin konkret.
Dilemën e mësipërme, se a duhet investuar në punëmarrësit apo jo, mund ta kenë shumë kompani.
Genc Loxha, konsulent i burimeve njerëzore dhe trajnues i licensuar, në një intervistë për KosovaJob, ka thënë se kompanitë duhet të investojnë në punëtorët e tyre sepse përfitimet janë reciproke.
Punëdhënësit duhet ta kuptojnë se duhet t’i trajnojnë, zhvillojnë dhe trajtojnë punëtorët e tyre aq mirë sa ata të mos kenë dëshirën për të ikur nga kompania apo cilido institucion ku ata shërbejnë. Apo edhe nëse lëvizin, të bëhen promovues të kompanisë ku kanë punuar, pra të flasin në superlativ, që është marketingu më i mirë për çdo kompani.
“Kompanitë duhet të kenë parasysh fillimisht që nuk duhet investuar në punëtorë veç pse ky mund të jetë një trend’ por sepse kompanive, për të pasur profit më të madh dhe për të performuar më mirë, ju duhen njerëz të shkolluar, të ngritur dhe të përgatitur, ky duhet të jetë caku i parë. Jeta sot është bërë shumë dinamike, ka pafundësisht informata, gjërat po ndërrojnë shumë shpejt dhe nëse nuk zhvillohesh, vjen tjetri që është më i përgatitur e të zëvëndëson. Ky duhet të jetë motivi për punëtorët, pse duhet të kërkojnë të zhvillohen. Tash nëse e ke edhe kompaninë që investon në ty edhe ti dëshirën për t’u zhvilluar, ky është kombinimi më i mirë por nëse kompania nuk ka iniciativë, sot ka plot mënyra për ta zhvilluar vetën. Ndërsa nëse punëtori nuk ka vullnet të zhvillohet, nevojitet me vlerësu, nëse është në pozitën e duhur, pasi që mësimi ka efekt vetëm me vetëdëshirë”
Krahas trajnimeve, ka edhe tjera forma që punëmarrësit të zhvillohen profesionalisht
Ekzistojnë shumë mënyra që një punëmarrës të zhvillohet profesionalisht. Ndër to, Genci përmend kyçjen në projekte, mësimin elektronik (E-learning), mësimin në vendin e punës dhe shkëmbimin e përvojave.
“Duhet të ekzistojë iniciativa e punëtorit, të kërkojë të udhëheqë një projekt apo iniciativë sepse kështu mësohet shumë. Sot ka edhe online learning (mësim elektronik) dhe kurset kanë cilësi shumë të lartë, çmime shumë të arsyeshme, ka shumë që janë edhe falas, është njejtë si të shkosh në klasë por vetëm virtualisht. Kjo formë mësimi është shumë e avancuar por tek ne akoma nuk ka arritur të promovohet aq shumë ngase ende ekziston ai mentaliteti se ne trajnohemi vetëm nëse shkojmë në klasë”
Ai tha se promovim duhet t’i bëhet edhe një tjetër lloj mësimi, e që është mësimi në vendin e punës. Ani pse mësimi në vendin e punës nuk konsiderohet trajnim, çdo punëtor e vëren dallimin tek vetja e tij nga fillimi i punës deri në një moment të caktuar. Këtë koncept, Genci thotë se kompanitë mund ta promovojnë më tepër, sepse është investim koha në kompani dhe është formë mësimi efikase kur e ke dikënd me përvojë afër si mentor.
Që kompanitë por edhe punëmarrësit të kenë përfitim, ai foli edhe për shkëmbimin e përvojave.Genci këshillon që dy personave t’u ndërrohet pozita në një kompani, për disa muaj apo një vit. Për të zbatuar këtë koncept, kompanitë mund të marrin këshilla nga profesionistë meqë ka mënyra të ndryshme të realizimit.
“I gjithë përfitimi i kësaj është se punëtorët freskohen dhe nuk rrinë shumë gjatë në një pozitë dhe në rast se ndonjëherë dikush lë punën atëherë aty ka më shumë persona që mund ta bëjnë punën e njejtë. Kësisoj, kompania nuk është në krizë në rast të lëvizjes së dikujt. Përndryshe kur dikush shkon, kompania është në urgjencë, presion, për ta punësuar dikë tjetër, e mbi të gjitha nuk është më dikush që e mëson tjetrin, kjo rezulton në humbjen e të ashtuquajturës dije insitucionale”, theksoi ai.
Pasioni, iniciativa dhe kreativiteti na bëjnë punëtorë më të mirë
Për të qenë punëtorë më të mirë, nuk ndikojnë vetëm trajnimet. Genci thotë se patjetër duhet pasur pasionin në punë përndryshe gjithmonë puna do jetë e mundimshme. Ai shton se punëtorë më të dalluar janë ata që tregojnë inciativa por në këtë rast kompania duhet të krijojë mekanizma për të matur performancën e një individi në mënyrë që të regjistrohen dallimet mes punonjësve. Kjo, sepse nëse të dytë i kanë përfitimet e njejta, punëtori i mirë dikur mund të mos ketë të njejtin motivim në të ardhmen.
Punëtorët stimulohen dhe zhvillohen edhe kur ka mundësi për kreativitet. Për këtë, ata patjetër që duhet të kenë hapësirën e nevojshme për t’i shprehur idetë e tyre. Genci theksoi se shumë organizata në botë por edhe kompanitë në vendin tonë tashmë e kanë kuptuar se sa luan rol kjo pjesë.
“Kompanitë tashmë e kanë kuptuar se një ide e mençur nuk ka të paguar dhe se duhet krijuar mekanizma për t’ja dhënë mundësinë secilit punëtor, të paktën një herë në vit apo edhe vazhdimisht me e dhënë ndonjë ide biznesi apo përmirësimi të procesit. Për këtë, formohet një ekip që i analizon idetë dhe ato më të mirat që përzgjedhen, bëhën iniciativa apo projekte. Prandaj, ky është një version që pronarët duhet ta kenë parasysh për t’i stimuluar ata duke shtuar vlerë ne kompani”.