Trusti u kërkon numrin personal të Kosovës shtetasve të huaj, për tërheqjen e 10 për qindëshit

Fotografi ilustruese

Posedimi i numrit personal të Kosovës, qoftë i përkohshëm ose i përhershëm, mbetet kusht për shtetasit e huaj që punojnë në Kosovë, që të aplikojnë për tërheqjen e 10 përqind të mjeteve në Trust.

Zëdhënësi i Trustit, Jeton Demi ka thënë se numri personal i Kosovës duhet të përputhet me numrin e llogarisë bankare. Për këtë çështje, sipas tij, janë refuzuar mijëra shtetas të huaj që punojnë në Kosovë për tërheqjen e mjeteve të tyre nga Trusti.

“Nuk kam statistika të sakta, mund të jetë me qindra ose mijëra refuzime të aplikimeve nga shtetas të huaj. Numri personal i Kosovës është kusht dhe në momentin që ky numër përputhet me numrin personal në bankë që është si informacion i konfirmimit të identitetit të tyre, ata bëjnë aplikimin pa problem. Kjo ka ndodhë që në fillim dhe shumica e tyre e kanë pasur në bankë një numër personal tjetër nga ajo që e kanë pasur në llogarinë pensionale në Trust, për këtë ka qenë i pamundur aplikimi”, ka thënë Demi.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka shtuar se nuk e dinë sa mund të jetë numri i saktë i kontributdhënësve në Trust që janë shtetas të huaj.

“Nuk e kam këtë informacion sepse edhe ne e kemi të vështirë t’i identifikojmë cili është shtetas i huaj dhe cili është jo i huaj. Sepse për ne, për sistemin, çdo kontribuues duhet të ketë një numër personal të Kosovës. Dhe ai aplikues përderisa ka numër personal të Kosovës, qoftë ky i përkohshëm ose i përhershëm, ne nuk mund ta verifikojmë, nuk kemi informacion i cili na konfirmon nëse ky kontribuues është shtetas i Kosovës apo i huaj”, thotë ai.

Në ditët e para kur filloi aplikimi për tërheqjen e 10%-shit në Trust kishte më shumë se 200 mijë kërkesa brenda ditës, por ky numër tashmë ka filluar të bie dhe tashmë numërohen vetëm qindra aplikime në 24 orë. Numri total i atyre që kanë aplikuar deri më tash për tërheqjen e një pjese të kursimeve të tyre është mbi 410 mijë.

Pas miratimit të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, dita e parë e aplikimit për tërheqjen e 10 përqind të Trustit ishte më 11 dhjetor 2020, ndërsa afati i fundit mbetet data 6 prill e këtij viti. Sipas ligjit, qytetarët që i kanë deri në 10.000 euro kursime, Qeveria do t’ua rimbursojë, duke nisur nga viti 2023.