Deri në fund të vitit 2020, buxheti i Kosovës do të duhej t’i arkëtonte 16.5 milionë euro nga Komisioni Evropian. Por, e ka humbur gati gjysmën e kësaj shume, shkaku që nuk e ka përmbushur shumicën e reformave në administratën publike, që kërkoheshin nëpërmjet një marrëveshjeje për Mbështetje të Sektorit të Buxhetit, e realizuar në kuadër të IPA 2.
Institucionet është dashur t’i zbatojnë 23 reforma specifike për ta fituar këtë shumë, por një studim i Institutit të Kosovës për Politikat Evropiane, e që akoma nuk është publikuar, ka gjetur se janë përmbushur vetëm 8 sosh.
“Pra, sipas marrëveshjes deri më sot, institucionet e Kosovës është dashur t’i zbatojnë 23 reforma specifike dhe të fitojnë 16.5 milionë euro përkrahje drejtpërdrejt buxhetore nga fondet e BE-së. Në vend të kësaj, institucionet kanë zbatuar vetëm 8 reforma specifike dhe kanë fituar 9.03 milionë euro, duke humbur kështu 7.47 milionë euro nga fondet e BE-së”, thuhet në studim.
Demush Shasha, drejtor ekzekutiv i këtij instituti, thotë se mjetet e humbura deri tash nuk do të kthehen.
“Këto mjete Kosova më asnjëherë nuk mund t’i kthejë dhe me këto mjete Komisioni Evropian do të financojë një gamë prioritetesh – qoftë mund të financojë veprime të ndryshme për luftën e ngrohjes globale në Islandë, apo të përmirësojë kanalizimin dhe furnizimin me ujë, le të themi, në Palestinë”, thotë Shasha. “Pra, janë fonde që kthehen në Bruksel dhe Brukseli i shpenzon për prioritete të tjera kudo në mbarë botën”.
Me marrëveshje, institucionet e Kosovës u zotuan se gjatë viteve 2018-2020 do të zbatojnë 8 reforma në fushën e administratës publike, të cilat do të vlerësoheshin me anë të 33 indikatorëve. Si shpërblim, BE-ja do të ndante 22 milionë euro të mbështetjes direkte buxhetore, përmes 4 transheve financiare, secila në vlerë prej 5.5 milionë eurosh. Kjo nënkuptonte se, sa më shumë reforma që ndërmerreshin, aq më shumë fonde të jepeshin. Dhe e kundërta.
Transhi i parë nuk ka qenë i kushtëzuar me indikator variabil, dhe 5.5 milionët e parë janë alokuar në vitin 2019. Por, të tjerët nuk janë alokuar të plotë, në mungesë të përmbushjes së reformave, disa nga të cilat janë shtyrë për vitin 2021.
Në Zyrën e BE-së në Prishtinë e kanë konfirmuar këtë.
Në një përgjigje të shkruar, kanë thënë se Programi i reformës së administratës publike të Kosovës ishte planifikuar të zbatohej gjatë 3 vjetëve (2018-2021). Pasi kanë treguar se katër transhe nga 5.5 milionë euro ishin të parashikuara të disbursohen si përkrahje e drejtpërdrejtë buxhetore lidhur me këtë, kanë thënë se i pari nuk ka qenë i lidhur me përmbushjen e indikatorëve dhe është disbursuar në vitin 2019.
“Në vijim, është kryer vlerësimi për progresin e shënuar në procesin e reformës për vitet 2018 dhe 2019. Në vitin 2018, 7 nga 12 targetet ishin plotësuar. Kjo arritje kishte si rrjedhojë disbursimin e 3.11 milionë eurove. Në vitin 2019, një target nga 12 milionë euro gjithsej ishte plotësuar, dhe rrjedhimisht është kryer disbursimi në vlerë prej 0.42 milionë eurosh. Vlera e përgjithshme e disbursuar deri tani është 9.03 milionë euro (nga 16.5 milionë të parapara)”, thuhet në përgjigje. “Programi për vitin 2020 ishte ‘ngrirë’. Vlerësimi i radhës për progresin e arritur në vitin 2021 do të kryhet gjatë vitit 2022”.
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, përgjegjëse për reformat që përmban marrëveshja, prej dy javësh nuk kanë kthyer përgjigje përkitazi me reformat e papërmbushura.
E, Demush Shasha alarmon se kjo qasje e Qeverisë mund t’ia humbasë Kosovës edhe shumë fonde të tjera.
“Po shohim mungesë reformash qoftë për sa u përket kritereve për liberalizim të vizave, Agjendës Evropiane të Reformave, MSA-së, e tani edhe për sa u përket fondeve të BE-së”, ka thënë Shasha. “Tani është një gjë që po shndërrohet në dukuri, në rregull, dhe thjesht tani kjo është indikator që Kosova rrezikon të humbë edhe fonde të tjera që e presin, në veçanti në kuadër të Instrumentit të Para Anëtarësimit III, për vitin 2021-2027”.
Marrëveshja mes Kosovës dhe BE-së, që i referohet Mbështetjes Sektoriale Buxhetore, është nënshkruar në dhjetor të 2017-s. Ajo kishte dy qëllime: avancimin e reformave evropiane në fushën e administratës publike, dhe mbështetjen financiare Qeverisë për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët.