Ekzekutohen pagesat për gati 25 mijë përfituesit e subvencioneve të pagave dhe qirave

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton publikun se ka përfunduar procesi i shqyrtimit të aplikacioneve të tatimpaguesve për subvencionimin e pagave dhe qirasë si dhe është bërë ekzekutimi i mjeteve për tatimpaguesit të cilët kanë plotësuar kriteret e vendosura nga vendimi i Qeverisë së Kosovës.

Sipas MFPT-së, përcjell Telegrafi, procesi i aplikimit nga ana e tatimpaguesve përmes platformës EDI ka përfunduar me datën 11 maj, kurse procesi i shqyrtimit dhe ekzekutimit është përmbyllur me datën 16 qershor.

Reklama e sponzorizuar

Nga këto subvencione kanë përfituar 24,826 tatimpagues, ku 23,153 prej tyre kanë përfituar nga subvencionet për paga dhe 1,673 kanë përfituar nga subvencionet për qira.

“Është themeluar Komisionin e Ankesave, si instancë të shkallës së dytë për shqyrtimin e ankesave të ushtruara kundrejt të gjeturave të Komisionit Ndërministror, të konstituuar me Vendimin 21/2021 të datës 30.04.2021 të Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve për zbatimin e Vendimit 08/08 të datës 21.04.2021 të Qeverisë së Kosovës. Ky Komision do të shqyrtojë ankesat e tatimpaguesve, sipas afateve, kritereve dhe procedurave të përcaktuara me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative”, thuhet në njoftim.

Tatimpaguesit ankesat e tyre tek ky Komision mund t’i dërgojnë vetëm në formë elektronike në adresën elektronike: [email protected].

Afati për dorëzimin e ankesave është deri më 25 qershor 2021.