Ministri i Financave, Punës dhe Transferve, Hekuran Murati dhe Ambasadori i Italisë, Nicola Orlando, kanë nënshkruar sot në Prishtinë Marrëveshjen për Eliminim të Tatimit të Dyfishtë dhe Parandalimin e Evazionit dhe Shmangies Fiskale mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Italisë.
Ministria e Financave njofton se nënshkrimi i kësaj marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes Kosovës dhe Italisë.
Më tutje, me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje do të mundësohet aplikim më i drejtë dhe i thjeshtëzuar i tatimeve për shtetasit e Kosovës që jetojnë në Itali dhe anasjelltas.
Njëlloj, gjatë konferencës për media, Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Luigi Di Maio, theksoi se “ky instrument operativ do t’i ndihmojë kompanitë italiane të jenë më të pranishme në tregun e Kosovës dhe do të lejojë kompanitë e Kosovës që ta shohin Italinë si bazë për ndërkombëtarizimin dhe integrimin e tyre në tregun e përbashkët evropian.”
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje paraqet një hap të rëndësishëm në zbatim të kërkesave që dalin nga Marrëveshja për Stabilizim Asociim me BE-në, duke përafruar Kosovën në të ardhmen e saj evropiane.