Ekspertë të sigurisë kibernetike në Shtetet e Bashkuara thanë se një sulm kibernetik, që nisi më 2 korrik, preku mijëra viktima në së paku 17 vende të botës.
Ekspertët u atribuuan përgjegjësinë bandave rusishtfolëse, ndërsa thanë se kriminelët kanë kërkuar shpërblime në vlerë prej 45,000 deri në 5 milionë dollarë.
Fred Voccola, shef i Kaseya-s, kompani me seli në SHBA, softueri i së cilës u prish, gjithashtu vlerësoi se numri i viktimave është mijëra.
Ai tha se shumica janë biznese të vogla, si objekte dentare, firma të arkitekturës, qendra të kirurgjisë dhe biblioteka.
Shkollat, agjencitë e vogla qeveritare, agjencitë e udhëtimit dhe agjencitë e kontabilitetit janë gjithashtu në mesin e viktimave të raportuara.
Kompania beson se e ka identifikuar burimin e cenueshmërisë dhe do të lëshojë një raport për klientët e prekur sa më shpejt që të jetë e mundur, tha Voccola në një intervistë për agjencinë e lajmeve Associated Press.
Ai nuk pranoi të ofrojë detaje për sulmin, por tha se “niveli i sofistikimit ishte i jashtëzakonshëm”.
Ekspertët e sigurisë kibernetike në SHBA thanë se banda REvil – një sindikatë e madhe rusishtfolëse – duket se qëndron prapa sulmit.
Sipas tyre, nuk është rastësi që sulmi nisi në fundjavën kur SHBA-ja shënoi përvjetorin e pavarësisë. Shumë biznese mund të mos e zbulojnë se janë goditur derisa të rihapen më 5 ose 6 korrik.
FBI dhe Agjencia e Sigurisë Kibernetike dhe Infrastrukturës në SHBA janë duke bërë hetime dhe u kanë kërkuar kompanive që t’i raportojnë problemet, por kanë paralajmëruar se “shkalla e këtij incidenti mund ta bëjë të pamundur përgjigjen për secilën viktimë veç e veç”.
Presidenti Joe Biden i ka urdhëruar agjencitë e inteligjencës amerikane që të hetojnë incidentin.
Anne Neuberger, zëvendëskëshilltare e Shtëpisë së Bardhë për teknologjinë kibernetike dhe teknologjinë në zhvillim, tha se FBI dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare “do t’i ndihmojnë viktimat e identifikuara për të siguruar ndihmë, bazuar në vlerësimin e rrezikut kombëtar”.
Një nga kompanitë e prekura është zinxhiri suedez i ushqimeve Coop.
Ai është detyruar të mbyllë shumicën e 800 dyqaneve të tij më 3 dhe 4 korrik, pasi sulmi ka dëmtuar softuerin e arkës së tij.
Një zinxhir suedez i farmacive, një zinxhir i stacioneve të karburanteve, hekurudha shtetërore dhe transmetuesi publik SVT janë goditur gjithashtu.
Mbikëqyrësi federal i sigurisë kibernetike në Gjermani tha se një ofrues i paidentifikuar i shërbimeve IT, që kujdeset për disa mijëra klientë, është sulmuar. Dy kompani të mëdha holandeze të shërbimeve IT ishin po ashtu në mesin e objektivave.
Sulmet kibernetike kryhen nga hakerë që hyjnë në rrjete dhe shpërndajnë kode të dëmshme, që bllokojnë të dhënat digjitale të viktimave.
Të dhënat janë të papërdorshme derisa kompania e sulmuar paguan shumën që i kërkohet.
Sulme të profilit të lartë kanë goditur një tubacion energjetik të SHBA-së dhe një përpunues global të mishit, në muajin maj.
Muajin e kaluar, gjatë një takimi në Gjenevë, presidenti Biden ka biseduar me homologun rus, Vladimir Putin, për bandat e sulmeve kibernetike, që dyshohet se veprojnë pa u ndëshkuar në Rusi.
Biden ka thënë se ka paralajmëruar Putinin se Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen, nëse hetimet përcaktojnë se Qeveria ruse qëndron pas ndonjë sulmi./REL/