Mbi 17 milionë euro është borxhi i mbetur i Telekomit ndaj kompanisë Z-Mobile, ndaj së cilës e kishte humbur rastin në Arbitrazh.
Shuma e borxhit që duhet ta paguaj Telekomi është 26 milionë euro. Me datë 17 nëntor 2020 palët kanë arritur marrëveshje për pagesën e borxhit në procedurën e përmbarimit.
“Borxhi i mbetur sipas kësaj marrëveshje është 17,281,142 euro i cili do të paguhet në 24 këste mujore. Kësti mujor do të jetë 720,048 euro, shtuar edhe 7 euro kamatë vjetore dhe shpenzimet e përmbarimit”, thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Telekomin.
Telekomi ishte përballur dy herë me bllokim të llogarive gjatë vitit 2020 pasi e kishte humbur rastin në Arbitrazh me kompaninë Dardafon, përkatësisht Z-Mobile.
Fillimisht, më 15 korrik 2020, Ish-MVNO Dardafon, përmes përmbaruesit privat kishte filluar përmbarimin duke bllokuar llogaritë e kompanisë dhe ekzekutuar një pjesë të borxhit, rreth 3.3 milion euro. Pas dy javësh kreditori kishte zhbllokuar përkohësisht llogaritë për t’i bllokuar sërish në tetor 2020 pas dështimit të arritjes së një marrëveshje mes palëve për planin e pagesave të borxhit./Buletini Ekonomik/











