Çmimet e gazit natyror në Europë, që aktualisht qëndrojnë në nivele të larta, mund të rriten edhe më më tej, për shkak të niveleve të ulëta të rezervave. Paralajmërimi vjen nga Alexei Miller, bosi i kompanisë ruse të gazit, Gazprom. Miller tha gjithashtu se, kërkesa po rritet për gazin natyror, që e përshkroi si një karburant të pastër, që mund të ndihmojë në periudhën e tranzicionit drejt energjisë së gjelbër. Ai tha se, aktualisht rezervat në Europë janë në rreth 22.9 miliardë metër kub gaz, shumë poshtë niveleve normale.
“Europa do të hyjë në periudhën vjeshtë/dimër me mungesa të gazit të magazinuar. Kjo situatë po ndikon në rritjen e çmimeve, që po regjistrojnë nivele të njëpasnjëshme rekord. Nuk përjashtohet mundësia që çmimet të kalojnë edhe rekordet e regjistruara tashmë”, deklaroi Miller. Çmimet e gazit në qendrën holandeze TTF, që është një benchmark europian, janë trefishuar gjatë këtij viti në nivele rekord, duke rritur edhe çmimet e energjisë elektrike. Miller shtoi se, Gazprom poi përmbahet plotësisht detyrimeve të furnizimit dhe kompania është e gatshme të prodhojë më shumë nëse do të jetë e nevojshme.











