Sot çmimi i rrymës në bursën hungareze arrinë në 625 euro

Çmime e energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare kanë arritur rekorde të reja. Sot nga ora 18:00 deri në orën 19:00 në tregun hungarez – HUPX, prej nga Kosova kryesisht importon rrymën, është paralajmëruar se çmimi mesatar i rrymës do të arrijë në 625.94 euro për megavat.

Sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, ky çmim është rreth 20 herë më i lartë se çmimi i një megavati të shitur nga KEK.

Ndryshe, mungesa e gazit dhe rritja e jashtzakonshme e konsumit të energjisë elektrike pas krizës pandemike ka bërë që çmimet e energjisë në tregje ndërkombëtare të rriten jashtzakonisht shumë.

Reklama e sponzorizuar

Në Evropë, çmimet e gazit natyror janë rritur gati 600% këtë vit nga shqetësimet se nivelet aktuale të ulëta të rezervave do të jenë të pamjaftueshme për dimrin. Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara, gazi natyror arriti rishtazi në bursë nivelet më të larta në 12 vite.

Me rritjen e konsumit në Kosovë dhe mungesën e prodhimit të rrymës në vend, është rritur nevoja për rritje të importeve, për të siguruar furnizim të rregullt me energji elektrike.

Për shkak të rritjes së kërkesës për rrymë dhe rritjes së importeve dhe çmimeve rekorde të rrymës në treg, në Kosovë është paralajmëruar mundësia e rritjes së çmimit të energjisë elektrike për konsumatorë.

Për të lehtësuar rritjen e tarifave dhe për të minimizuar ndikimin e çmimeve të rrymës në bursë tek konsumatorët në Kosovë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur të subvencionojë importin me 20 milion euro, anipse ky subvencionim duket të jetë i mangët, krahas rritjes së vazhdueshme të çmimit të rrymës në bursat ndërkombëtare.

Nga qytetarët është kërkuar të kursehet energjia elektrike, në mënyrë që importet të jenë më të ulëta dhe të ndihmohet sistemi elektroenergjetik dhe ndikimi i këtyre rritjeve në tarifa.