“Mbrojtësit e Konsumatorëve” i kanë bërë thirrje kompanisë së furnizimit me energji KESC0-s, që të respektojnë të drejtat e konsumatorëve për informim, furnizim të rregullt dhe kompensim të dëmeve për qytetarët pas reduktimeve të energjisë.
Ata përmes një njoftimi për media, i kanë bërë thirrje gjithashtu edhe Qeverisë dhe institucioneve tjera relevante, që të mos i fajësojnë qytetarët për konsum të shtuar të përdorimit të energjisë, por t’iu dalin atyre në ndihmë në këtë kohë të krizës dhe të gjejnë rrugëzgjidhje në dobi të konsumatorëve.
“Konsumatorët janë të pa informuar, të diskriminuar dhe të lënë pa shërbime bazë në një kohë të vështirë e pa të drejtë. Energjia elektrike është produkt bazë pa të cilin jeta e konsumatorëve vështirësohet”, thuhet në reagimin e tyre.
Sipas Mbrojtësve të Konsumatorëve, përveç që u urdhërua me lehtësi privimi i konsumatorëve nga energjia elektrike, ata as nuk po informohen me kohë mbi kohëzgjatjen e reduktimeve, dhe për më tepër institucionet përgjegjëse nuk kanë ndonjë plan transparent se deri kur do të zgjasë kjo periudhë.
Neni 4 i Ligjit Nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorëve thekson qartë që e drejta për informim të konsumatorëve dhe e drejta për shfrytëzim të shërbimeve publike është e drejtë thelbësore. Duke u bazuar në këtë ligj, Mbrojtësit e Konsumatorëve thonë se me reduktimet pa njoftim dhe orar, KEDS/KESCO po shkelin një parim bazë të të drejtave të konsumatorëve.
Ata tutje shprehen se janë thellësisht të shqetësuar me tejzgjatjen e reduktimeve dhe se konsumatorët gjithandej Kosovës po raportojnë për periudha shumë më të gjata sesa dy orë me reduktime.
Ata i bëjnë thirrje urgjente edhe Zyrës së Rregullatorit për Energji që ta monitorojë në mënyrë strikte zbatimin e “dy orëshit” të reduktimeve dhe të shqiptojë gjoba në rastet kur kjo periudhë e proklamuar nuk respektohet.
“Konsumatorët e Kosovës i lusim të jenë vigjilent dhe të ankohen për shkeljet që po ndodhin. Shfrytëzoni të drejtën tuaj dhe parashtroni ankesë në info@kesco-energy.com si dhe në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit në Zyrën e Rregullatorit për Energji në email-in ankesa.dmk@ero-ks.org. Terri nuk është zgjidhja. Energjia elektrike është shërbim i domosdoshëm për konsumatorët. Informimi i tyre, qasja në këto shërbime dhe dëmshpërblimi në rast të dëmit janë të drejta thelbësore me pasoja juridike”, përfundon reagimi i Mbrojtësve të Konsumatorëve. /Buletini Ekonomik/