Dogana arkëtoi 1.37 miliardë euro më 2021, importi shkon në 4.6 miliardë

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës, Agron Llugaliu së bashku me ministrin e  Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë mbajtur sot një konferencë për media, ku shpalosën raportin vjetor të vitit 2021 dhe rezultatet e e doganës gjatë vitit që lamë pas, të cilat u cilësuan si rezultate rekorde sa i përket të hyrave.

Ministri Murati tha se përveç të hyrave rekord që Doganat kanë shënuar gjatë vitit të kaluar, edhe indikatorët e tjerë si perfomanca e mirë në mbledhje të të hyrave, përformanca e mirë në tregtinë e jashtme, ku eksporti kishte shënuar rritje, si dhe luftimi i kontrabandës nga vet Doganat, tregojnë një perfomancë të ‘jashtëzakonshme’ të këtij institucioni.

Kurse, drejtori i Doganës, Agron Llugaliu tha se të hyrat vjetore të Doganës gjatë vitit 2021 shënojnë një shifër prej 1.37 miliardë eurove, apo 320 milionë më shumë sesa të hyrat që ishin në vitin 2019. Gjithashtu, ai theksoi se të gjitha këto të hyra janë bërë pa ndryshime në normat fiskale.

Reklama e sponzorizuar

Në rritjen e të hyrave të Doganës për 30 për qind më 2021, Llugaliu tregon se ka ndikuar rënia e ankesave të bizneseve në procedurë dhe gatishmëria e tyre për t’i paguar taksat.

E në arritjen e objektivave të Doganës së Kosovës, Llugaliu përmendi rritjen ekonomike prej 10 për qind, reformën e Doganës në proceset kyçe për evazion fiskal, si dhe bashkëpunimin e mirë me bizneset dhe qytetarët.

“Dogana ka pasur një strategji në ofrimin e kushteve për të gjithë, reformë të proceseve kyçe për evazion fiskal dhe kemi pasur një bashkëpunim me biznese dhe qytetarë. Të hyrat nga Dogana e Kosovës janë 1.37 miliard euro apo 320 milionë më shumë se vitin e kaluar. Kemi pasur të hyra edhe 16 për qind më shumë se vitin 2019. Kjo është bërë pa ndryshime në norma fiskale”, ka shtuar Drejtori i Doganës së Kosovës.

Përveç rritjes së të hyrave, edhe importi si zakonisht ka shënuar rritje. Në vitin 2021, krahasuar me vitet paraprake, Llugaliu tha se importi ka arritur shifrën e 4.6 miliardë eurove, duke shtuar se ka pasur rritje edhe në aspektin e mallrave të konfiskuara, përcjell Buletini Ekonomik.

Edhe eksporti ka treguar një rritje gjatë vitit 2021, thekson Lluagaliu, një rritje prej 62 për qind krahasuar me vitin 2020, ndërsa 104 për qind krahasaur me vitin 2019.

Sa i përket vendeve ku Kosova ka eksportuar më shumë mallra gjatë vitit 2021, prijnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 126 milionë euro eksport, pastaj Shqipëria, Maqedonia e Veriut etj.

Gjithsej 11 milionë euro është shifra e mallrave të konfiskuara nga Dogana më 2021, pikërisht nga lënda e parë e importeve.

Llugaliu përmendi edhe efikasitetin e Doganës në luftën ndaj kontrabandës me narkotikë, ku sipas tij më 2021 janë identifikuar 48 raste të zbulimit të narkotikëve. /Buletini Ekonomik/