Inflacioni në Eurozonë kërcen në 5% në dhjetor

Fotografi ilustruese

Inflacioni në Eurozonë ka kërcyer në 5% në dhjetor, në rritje në krahasim me 4.9% që ishte në nëntor, sipas vlerësimeve paraprake të Eurostat. Ky është një nivel i ri rekord që kur u krijua monedha e pëërbashkët më shumë se dy dekada më parë, duke ngritur pikëpyetje se sa shpejt do të lehtësohen presionet inflacioniste këtë vit.

Duke parë përbërësit kryesorë të inflacionit të Eurozonës, energjia pritet të ketë normën më të lartë vjetore në dhjetor (26.0%, krahasuar me 27.5% në nëntor), e ndjekur nga ushqimi, alkooli dhe duhani (3.2%, krahasuar me 2.2% në nëntor), mallrat industriale joenergjetike (2,9%, krahasuar me 2,4% në nëntor) dhe shërbimet (2,4%, krahasuar me 2,7% në nëntor).

Ndikimi në Shqipëri

Reklama e sponzorizuar

Në Itali, që është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, inflacioni vlerësohet paraprakisht se ka arritur në 4.2% në dhjetor 2021, nga -0.3% që ishte në dhjetor 2020.

Në Greqi, inflacioni ka kërcyer në 4.4%, në Gjermani zbrit në 5.7%, nga 6% që ishte muajin e mëparshëm.

Për shkak të lidhjeve të forta tregtare, rritja e çmimeve në vendet e Europës pritet të transmetohet dhe në Shqipëri. Banka e Shqipërisë vlerësoi më herë se pesha e inflacionit të importuar në rritjen totale të çmimeve në Shqipëri u rrit ndjeshëm në tremujorin e tretë të vitit 2021.

Banka e Shqipërisë llogarit se kontributi i inflacionit të importuar në inflacionin total rezultoi 54%, kundrejt një mesatareje prej 40% të dy tremujorëve të mëparshëm të vitit.

Banka qendrore parashikon se, në një perspektivë të afërt, presionet e shtuara inflacioniste nga çmimet e huaja parashikohet të jenë të pranishme në inflacionin mesatar në Shqipëri edhe gjatë 2-3 tremujorëve në vijim, për t’u qetësuar gradualisht gjatë vitit të ardhshëm.

Në Shqipëri, sipas matjeve me metodën e Eurostat Niveli i Përgjithshëm i Çmimeve (Inflacioni) është rritur gjatë muajit nëntor 2021 me 3,3%. Rezultati është 0,2% më i lartë se matjet kombëtare. Rritja më e madhe e çmimeve prej 5,6% vërehet në grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Transporti” me 5,0%, “Argëtim dhe kulturë” me 3,2%, “Komunikimi” me 3,1%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,6%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,5%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,1%, “Shëndeti” me 1,0%, “Veshje dhe këpucë” dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,8% secili dhe “Shërbimi arsimor” me 0,1%.

Ndërsa inflacioni i matur sipas INSTAT në nëntor 2021 arriti në 3.1%, që është niveli m ëi lartë në një dekadë./Monitor.al/

Inflacioni në Shqipëri