Konfeksionet e lira nga Kina dhe Turqia e bëjnë rrobaqepësinë në Kosovë zanat “në zhdukje”

Prishtinë, janar – Në rrobaqepësitë kosovare puna gradualisht ka filluar të bie. Krahasuar me vitet e mëhershme, tani rrobaqepsitë kosovare frekuentohen ndjeshëm më pak nga klientela.

Blendrita Avdiu

Reklama e sponzorizuar

Në këtë “reduktim” pune në rrobaqepësi kanë ndikuar, para së gjithash, produktet e lira të veshjes, të cilat vijnë kryesisht nga Kina dhe Turqia. Këtë fakt e pohojnë rrobaqepësit kosovarë, ndër ta e pohon edhe Emine Lumi- Haziri, pronare e dyqanit të rrobaqepësisë ‘Nora’ në Fushë Kosovë.

Ajo në një bisedë për Buletinin Ekonomik ka thënë se një arsye tjetër e rënies së punës së saj është edhe rritja e çmimeve që ka ndodhur kohën e fundit në Kosovë dhe në botë.

Sipas saj, është e pamundur të mbulohen shpenzimet dhe të ketë përfitim nga ky biznes, ndonëse çmimet e materialeve janë rritur, ndërkohë që çmimet e shërbimeve të tyre për klientë janë akoma të njëjta.

Lumi- Haziri ndër të tjera tha se në dyqanin e saj puna më e madhe bëhet në riparime të rrobave, ndërsa për qepje të reja ka pak punë. Te riparimet më shumë bëhen shkurtime dhe ngushtime të veshjeve. Bëhen, në raste, edhe riparime më të mëdha dhe më të ndërlikuara.

Tutje, rrobaqepësja Lumi- Haziri tha se çmimet e shërbimeve të tyre nuk janë të larta për qytetarët, ndërkohë që për ta nuk janë edhe aq të leverdishme. Ajo mendon se me çmimet aktuale mundi i tyre nuk paguhet pothuajse fare.

“Me ngritjen e çmimeve të produkteve të tjera në vend, janë rritur edhe çmimet e konfeskioneve,  materialeve tqë tjera dhe të produkteve esenciale tonat si rrobaqepësi, andaj nëse vazhdohet të ketë rritje, ne nuk mund të vazhdojmë me çmimet e njëjta të shërbimeve për qytetarët”, ka thënë ajo.

Edhe një rrobaqepëse nga Prishtina e thotë të njëjtën gjë. Ajo në kushte anonimiteti për Buletinin Ekonomik ka thënë se faktori kryesor që ka bërë që puna e rrobaqepësive ka rënë, është ardhja e mallrave nga vendet e tjera me çmime relativisht të ulëta, e cila direkt shkakton rënie të punës së rrobaqepësisë e në blerje të produkteve të reja.

“Shumica e klientëve më shumë preferojnë që ta marrin një rrobë të re, sesa ta riparojnë atë me arsyetimin se çmimi i riparimit përafërohet me atë të së rejës”, ka thënë ajo.

Ajo tutje tha se çmimet e  rrobaqepësisë tani për tani janë akoma të lira, pasiqë në dyqanin e saj, çmimet e shërbimeve si qepje, ngushtim, shkurtim e të tjera sillen nga 50 centë deri në 4 euro./Buletini Ekonomik/