Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur dje mbledhjen e 67 me radhë.
Në mbledhjen e mbajtur, Qeveria ka miratuar pesë vendime që kanë të bëjnë me shpronësimin e pronave për interes publik.
Në mesin e vendimeve të miratuara është edhe vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të cilat janë të nevojshme për ndërtimin e “Rrugës Shtetërore” në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Elezit, pikë kalimi kufitar në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Më poshtë pesë vendimet e miratuara:
– Vendimin përfundimtar për shpronësimin për interes publik të pronave dhe zotëruesve të interesit që preken nga ndërtimi i “Poligonit Kryesor të Trajnimeve për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës” në Babaj të Bokës, Shishman i Bokës, Popoc, Ponoshec, Çerret dhe Devë të Komunës së Gjakovës;
– Vendimi përfundimtar të shpronësimit për interes publik të pronave ish shoqërore dhe të cilat preken nga ndërtimi Objektit të Gjykatës Themelore në Pejë, ndërtimi i objektit të ri të Gjykatës Themelore në Prizren; dhe renovimi i ish objektit të “Jugobanka” në Mitrovicë për nevoja të Gjykatës Themelore të Mitrovicës.
– Anulimi i vendimit përfundimtar të shpronësimit për interes publik Nr.08/47 të datës 02.09.2015 dhe vendimit 02/73 të datës 05.02.2016, që kanë të bëjnë me shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme të pronave të Ndërmarrjeve Shoqërore “Auto Moto Kosova” dhe “INA Zagreb”. Ky vendim do t’i hap rrugë evitimit të gabimeve dhe inicimit të ri për shpronësimin e këtyre pronave për nevoja të ndërtimit të objekteve qeveritare.
– Vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të cilat janë të nevojshme për ndërtimin e “Rrugës Shtetërore” në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Elezit, pikë kalimi kufitar në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.
– Vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të shpronësimeve për interes publik të pronave të paluajtshme dhe zotëruesve të interesit të cilat gjenden brenda lokacionit të “Aeroportit të Gjakovës” dhe të cilat janë të nevojshme për realizimin e projekteve infrastrukturore të Ministrisë së Mbrojtjes.
Në përputhje me Ligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2022 dhe të analizës së planifikimeve të prokurimit nga agjencitë buxhetore, është miratuar vendimi për ndryshime dhe plotësime të listës së artikujve për përdorim të përbashkët dhe që janë objekt i procedurës qendrore të prokurimit.