Dogana zbulon mashtrimin me derivate që dëmtoi buxhetin e shetit për mbi 600 mijë euro

Fotografi ilustruese

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se ka zbuluar shmangie taksash nga tri subjekte që operojnë në fushën e tregtisë me derivate të naftës, më konkretisht nga tri Popma derivatesh në Kosovë. Dëmi, i cili është konstatuar se i është shkaktuar buxhetit të shtetit nga kjo ikje taksash, është për mbi 600,000 euro.

Sipas një njoftimi për media nga Dogana sot, kjo e fundit konstatoi se ka arritur të zbulojë se këto subjekte kanë liruar në import derivate duke falsifikuar dokumente, dhe duke dëmtuar buxhetin e shtetit për tri vite me radhë.

“Dogana e Kosovës në saje të aktiviteteve të kontrolleve të orientuara tek fushat me rrezikshmëri të lartë për shmangie të detyrimeve doganore, ka zhvilluar inspektime dhe është në vijim të inspektimeve tjera. Nga ky aktivitet zyrtarët doganor kanë gjetur dyshime për shmangie taksash nga tri subjekte që operojnë në fushën e tregtisë me derivate të naftës. Si rezultat është zbuluar lirimi i bazuar në dokumente të falsifikuara ndër vite, fillimisht nga këto tri subjekte që kanë deklaruar edhe ndërlidhjen mes vete. Dyshimi është se këto subjekte kanë liruar në import derivate duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej mbi 600 mijë euro gjatë tre viteve të fundit”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Reklama e sponzorizuar

Dogana gjithashtu thotë se ka njoftuar edhe prokurorin kujdestar dhe me vendim të prokurorit janë arrestuar personat përgjegjës të këtyre tri subjekteve të përfshira në këto procedura lirimi, dhe se hetimi do të vijojë deri në zbardhjen e rrethanave të këtyre rasteve.