“Kosova ka potenciale për 3600 GWh të energjisë së rinovueshme”

Turbinat me erë

Sipas përllogaritjeve të përafërta, sasia e prodhimit të energjisë së rinovueshme në Kosovë, nëse do të shfrytëzoheshin të gjitha potencialet, mund të arrijë në rreth 3600 GWh (i përafërt me prodhimin mesatar vjetor të TC ‘Kosova B’) .

Buletini Ekonomik

Sado që nuk ka ndonjë analizë dhe përllogaritje të detajuar rreth mundësive reale të Kosovës për të ngritur kapacitete të prodhimit të energjisë së rinovueshme, sipas ekspertëve dhe njohësve të zhvillimeve të energjisë së ripërtëritshme, po qe se shfrytëzohen të gjitha potencialet (turbinat e mundshme me erë, panelet solare dhe minihidrocentralet ekzistuese), këto mundësi janë goxha mbresëlënëse.

Reklama e sponzorizuar

Besfort Kosova, njohës i zhvillimeve në fushën e energjisë së gjelbërt dhe hulumtues në ‘Ballkan Green Foundation’, në një intervistë për Buletinin Ekonomik, thotë se nuk ka një analizë të mirëfilltë të përllogaritjeve se sa megavatorë energji do të prodhohej po të shfrytëzohej i tërë potenciali ekonomik vendor sa i përket BRE-ve.

Mirëpo, siç tha ai, sipas përllogaritjeve të përafërta, sasia e prodhimit të energjisë së rinovueshme, nëse do të shfrytëzoheshin të gjitha potencialet, mund të arrijë në rreth 3600 GWh (i përafërt me prodhimin mesatar vjetor të TC ‘Kosova B’).

Pa dyshim, sqaron Kosova, rolin kryesor e bartë energjia e erës me mbi 2000 GWh, energjia hidrike në varësi të kushteve hidrologjike rreth 600 GWh (me impiante të rezervave hidrike reverzibile) dhe një sasi të përafërt prej 800 GWh nga energjia solare dhe afërsisht 200 GWh nga shfrytëzimi i biogazit/biomasës për prodhim të energjisë elektrike.

Sfiduese, sipas Kosovës, mbetet balancimi i BRE-ve dhe për këtë duhet të investohet në rrjet për integrimin dhe balancimin e këtyre kapaciteteve të BRE-ve.

Aktualisht, Kosova ka potencial të balancimit rreth 600 MW, ndërsa potenciali i gjithëmbarshëm i përafërt i përllogaritur i kapaciteteve totale, i instaluar i BRE-ve sillet në rreth 2000 MW.

Duhet theksuar që Kosova, kërkesën për energji elektrike vjetore e ka në sasinë e përafërt të 6500 GWh.

Afërsisht 24% janë humbjet në rrjet përfshirë veriun, dhe afër 4500 GWh është kërkesa nga sektori i amvisërisë, që njëherësh është konsumuesi më i madh i energjisë elektrike. /Buletini Ekonomik/