I diskutueshëm mbetet plasimi në publik i të dhënave, që shumë herë janë theksueshëm të dallueshme dhe të ndryshme, rreth hektarëve të mbellë me grurë në arat kosovare, rreth të korrave dhe grumbullimit të sasive të grurit në hambaret tona dhe shifrave e përqindjeve rreth përmbushjes së nevojave të popullsisë së Kosovës.
Mehmet GJATA
Kosova, kaherë dihet, nuk i plotëson nevojat e popullsisë së vetë me grurë, që nënkuptohet as me miell. Nuk i ka plotësuar as në kohën e ish-Jugosllavisë, dhe as tani pas pavërësisë. Ky është fakt i padiskutueshëm dhe që dihet nga të gjithë kosovarët-edhe nga zyrtarët, autoritetet, sektori i agrarit, fermerët dhe nga pronarët e arave, shumë prej tyre sot e kësaj dite-djerrina.
Por, i diskutueshëm mbetet plasimi në publik i të dhënave, që shumë herë janë theksueshëm të dallueshme dhe të ndryshme, rreth hektarëve të mbellë me grurë në arat kosovare, rreth të korrave dhe grumbullimit të sasive të grurit në hambaret tona dhe shifrave e përqindjeve rreth përmbushjes së nevojave të popullsisë së Kosovës (sipas regjistrimit të 2011-tës, Kosova ka diku rreth 1 milion e 800 mijë banorë). Dhe, për shkak të mungesës së të dhënave të sakta dhe reale rreth këtyre objektivave dhe parashikimeve planifikuese, përherë, nga viti në vit, kalkulohet me shifra goxha kontradiktore nga zyrtarët, ekspertët e bujqësisë, por edhe nga asociacione të shoqërisë civile që janë të regjistruar ta trajtojnë agrarin tonë në një mënyrë apo tjetër. Në të shumtën kemi të dhëna të ndryshme numërike, jo rrallë shumë të dallueshme numerikisht nga njëra-tjetra dhe që të vënë në lajthitje me numrat e deklaruar rreth sipërfaqeve të planifikuara, të mbjella dhe të përmbushjes së nevojave të kosovarëve me produktet qenësore bujqësore, e sidomos me grurë dhe me misër.
Praktikisht, përherë, dhe nga viti në vit-në vjeshtë dhe në pranverë në raporte të ndryshme zyrtare rreth sipërfaqeve të mbjella dhe përmbushjes së nevojave, sidomos me grurë, në komunikatat e ndryshme të ministrive përkatëse dhe në informacione të shumta në medien tonë has të dhënat divergjente dhe të dallueshme goxha në shifra të ndryshme.
Fitohet përshtypja kur has në gjithë këto të dhëna kontradiktore për numrin e hektarëve të mbjellë me grurë dhe misër në arat e Kosovës, por edhe kur lexon shifrat shumë të ndryshme për rendimet e gjithmabrshme të këtyre kulturave bujqësore si dhe shifrat për përmbushjen e nevojave të vendit me këto drithra, se këto të dhëna, më shumë janë hamendsime, të dhëna të paverifikuara fare dhe të pamata dhe të pallogaritura siç duhet dhe sipas standardeve të ditura.
Për të qenë më konkret të shohim dhe të krahasojmë të dhëna të ndryshme rreth sipërfaqeve të mbjella në arat e Kosovës. Sipas të dhënave të MBPZHR-së, gjatë vitit të kaluar, në gjithë territorin e Kosovës ishte planifikuar që të mbillen 75,000 deri në 80,000 hektarë me drithëra, ku prej tyre vetëm me grurë ishte paraparë që të mbillen rreth 70,000 hektarë. Nga ky planifikim i ministrisë, në kohën e mbjelljeve vjeshtore më 2021, ishin mbjellur vetëm 66, 159.52 hektarë me grurë. Vlerësohet, sipas Minsitrisë së bujqësisë, se këto sipërfaqe të mbjella me grurë, praktikisht përmbushin diku rreth gjysmën e kërkesave të kosovarëve për grurë. Kjo pasi nevojat e popullatës së Kosovës janë për rreth 400 mijë tonë grurë në vit.
Ndërsa, nga MBPZHR-ja në një përgjigje të mëhershme për Buletinin Ekonomik patën thënë se Kosova arrin t’i plotësojë nevojat me grurë deri në 67 për qind.
Po sipas të dhënave të zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, të dhëna medieve të tjera kosovare, gjatë vitit të shkuar, rreth 68.000 hektarë tokë është e kultivuar me kulturë të grurit. Një zyrtar në në Departamentin për Politika Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kishte deklaruar se në bazë të të dhënave preliminare, Kosova sivjet do t’i plotësojë rreth 65 për qind të nevojave të popullatës me ushqim.
“Sipas nevojave në nivel vendi, nëse do mbilleshin 100.000 hektarë tokë me grurë dhe nëse rendimenti do të ishte prej 4.000 kilogramësh, atëherë i bie që Kosova të prodhojë 400.000 tonë grurë, sa janë edhe kërkesat dhe do të përmbusheshin nevojat për konsum”, shprehet zyrtari i Ministrisë së Bujqësisë.
Sipas të dhënave zyrtare, në Kosovë nevojat për këtë produkt për kokë banori, janë 205 kilogramë, që i bie se në Kosovë duhet të harxhohen 410.000 tonë grurë.
Edhe për vitin 2020 ka disa të dhëna të ndryshme për sipërfaqen e mbellë me grurë. Diku thuhet se me 2020 janë mbjellë rreth 63.000 hektarë sipërfaqe me këtë kulture, diku rreth 60 mijë dhe diku mbi 65 mijë.
Ndërkohë, kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, në një prononcim për mediet më herët, kishte thënë se Kosova mund të plotësojë vetëm 35 për qind të nevojave të popullatës së saj për miell nga rendimentet e saj të grurit.
Dhe, sipas tij, gjatë vitit 2021, Kosova për t’i plotësuar nevojat për grurë kishte importuar 84 mijë tonë lloje të ndryshme të grurit dhe miellit nga Serbia, dhe 115 mijë tonë tjera nga shtete të ndryshme, si: Kroacia, Austria, Maqedonia e Veriut, Hungaria, Shqipëria, Bosnje e Hercegovina.
Po kryetari i Federatës se Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, në një prononcim tjetër për medie thotë se Kosova arrin t’i përmbush nevojat e tregut me grurë vetëm 30 për qind.
“Kosova këtë vit ka siguruar diku deri rreth 30 eventualisht 35 për qind me miell.”
Rreth importit të grurit dhe miellit ka edhe të dhëna të tjera që janë të ndryshme nga këto më lartë. Një zyrtar i Shoqatës së Mullistëve të Kosovës, po kështu, në një prononcim për medie kishte deklaruar: Në vitin 2019, Kosova ka importuar 146 milionë kilogramë miellë dhe grurë, kurse në vitin 2020 ka importuar 159 milionë kilogramë ose 13.3 milionë kilogramë më shumë se vitin paraprak.
Sidoqoftë, dihet se Kosova asnjëherë nuk ka arritur që të plotësojë nevojat e popullatës së saj me miell nga rendimentet e veta të grurit. Vazhdimisht është varur nga importi, që kryesisht është bërë dhe vazhdohet të bëhet nga vendet e rajonit (më së shumti nga Serbia), një sasi më të vogël nga Ukraina dhe nga Rusia si dhe nga shtetet e Bashkimit Evropian.
Gjithmonë, që nga koha kur Kosova ishte si subjekt në ish-Jugosllavi, numri i hektarëve të planifikuar për mbjellje të grurit është kalkuluar të jetë 80 mijëshi, përafërsisht. Përafërsisht ky numër hektarësh (80 mijëshi, pra) është thënë të jetë edhe disa vjet rresht, pas luftës dhe pas pavarësisë së vendit. Tani, në këto 3-4 vjetët e fundit, sikur është reduktuar ky numër hektarësh i paraparë për t’u mbjellë me grurë, megjithë subvencionet e shumta dhe që nuk janë për t’u nënvlerësuar. Tani edhe nëse planifikohet të mbillen 75 deri në 80 mijë hektarë, e shumta që do të arrihej të mbillej me grurë do të ishte 66-68 mijë hektarë. Më 2020, sipas disa të dhënave të bëra publike në disa medie, janë mbjellë me grurë në arat e Kosovës gjithsej 63 mijë hektar. Për huqjen e përmbushjes kaq të madhe të parashikimeve për mbjelljen e këtij drithi, kaq të rëndësishëm edhe nga pikëpamje strategjike, ndoshta, do të jap përgjigje ndokush ndonjëherë./Buletini Ekonomik/











