Qeveria kundër tërheqjes së mjeteve nga Trusti

Fotografi ilustruese

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se tërheqja e mjeteve nga Trusti nuk i ndihmon kategoritë në nevojë, pasi sipas arsyetimit, “edhe vet përqindja e fondit personal të tyre është e ulët”.

Në mbledhjen e mbajtur të enjten mbrëma, Qeveria tha se me kursimet e pleqërisë nuk duhet abuzuar, duke e konsideruar kërkesën për tërheqjen e një pjese të mjeteve si të mangët.

“Qeveria ka dhënë mendimin për Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, që nuk e përkrahë këtë nismë legjislative të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës është afër qytetarëve, për të ndihmuar përmes rishpërndarjes, rritjes së punësimit, rritjes së mbështetjes në skemat sociale, për fëmijët, gratë dhe të rinjtë, si dhe për fermerët e ndërmarrësinë e vogël e të mesme”, thuhet në komunikatë e Qeverisë.

Reklama e sponzorizuar

PDK-ja ka nisur një iniciativë për t’ua mundësuar qytetarëve të tërheqin sërish mjete nga Trusti, ndërkohë që edhe partitë tjera opozitare e kanë përkrahur.

Në dhjetor të vitit 2020, Qeveria Hoti ua kishte mundësuar qytetarëve t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve të tyre. VV-ja atëkohë në opozitë nuk e kishte përkrahur vendimin, e as tash në pushtet nuk po e përkrah kërkesën e opozitës për tërheqje të sërishme.

Në këtë mbledhje, Qeveria miratoi vendimin për vazhdimin për tre vjet të mandatit të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë luftës në Kosovë.

U miratua edhe vendimi për t’i kërkuar presidentes autorizimin për Ministrinë e Drejtësisë, që të nënshkruhet traktati mes Kosovës dhe Danimarkës për shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan, “me qëllim të ekzekutimit të dënimeve për të burgosurit danez”.

“Lidhur me nismën për Projektligjin për rregullimin e çmimit të produkteve medicinale, Qeveria e Republikës së Kosovës, tashmë e ka në agjendë legjislative këtë projektligj, rrjedhimisht nuk e konsideron të nevojshme iniciativën e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për këtë Projektligj”, thuhet në komunikatë.

“Qeveria ka miratuar edhe vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 02/50, si vijon: ‘Udhëzimi Administrativ i MMPH-s Nr. 09/2015 për lejen për vendosjen në treg, regjistrim dhe leje të importit të produkteve biocide, mbetet në fuqi deri në krijimin e bazës së re ligjore. Ndryshim plotësim i Vendimit bëhet më qellim të mos krijimit të vakumit juridik’”.