Edhe më tutje, në Kosovë nuk ka ndonjë projekt madhor të realizuar me kapital të diasporës, as ndonjë kapacitet ekonomik-prodhues atraktiv dhe që sjellë të hyra solide, dhe nuk ka thuaja as ndonjë nismë për të investuar paranë e mërgatës në këso projektesh. Investimet e diasporës, gjegjësisht remitencat, deri tani shquhen në angazhimet e tyre me shumicë absolute në paluajtshmëri dhe më konkretisht në blerjen e banesave në qytete të ndryshme të Kosovës dhe më së shumti në kryqytet.
Mehmet GJATA
Kosova, institucionet e saj, por edhe opinioni kosovar, kujtohet për mërgatën e saj më shumë në rastet kur diaspora sjellë shuma të mëdha parash në vendlindje, kur prurjet financiare të këtyre njerzëve tejkalojnë rekordet ekzistuese dhe në muajt e verës, kur këtë kujtesë e imponojnë vet ata, me ardhjen masovike në vendlindje. Kosovarët e diasporës kujtohen, madje përflitet për ta edhe duke përhapur thashetheme cinike dhe ironike për ndonjë gafë eventuale që bënë dikush nga mërgata, ose për ndonjë rast sjelljeje jashtë normave kosovare të këtyre njerzëve, që jo gjithherë dhe gjithmonë pas qëndrimit shumëvjeçar në vend të huaj, t’huajsohen paksa dhe ndodhë edhe të mos përputhen me mentaliten e kosovarëve vendor, që asesi s’do të thotë se është më i miri.
Tani në prag të ardhjes së tyre të numërt dhe tok me ardhjen e tyre, prurjen e një fluksi të ri parash aq të dëshirueshme dhe të pritshme nga kosovarët, Buletini Ekonomik në këtë shkrim të radhës, pretendon t’i trajtojë edhe njëherë detajisht përfitimet e shumta të republikës tonë nga paraja e mërgatës, mundësitë reale që kjo sasi parash, pos për buxhetet familjare dhe mirëqenien e tyre, të dedikohet edhe për investime që do t’i sillnin fitim investuesit nga diaspora, për të përfituar kështu të dy palët edhe Kosova edhe mërgata jonë.
Remitancat, prurjet financiare të mërgatës sonë pra (po të kihet parasysh diaspora jonë numerikisht goxha e madhe dhe shteti i vogël i Kosovës), janë kolosale, të imponueshme, përtej shifrave që do të mund t’i imagjinonte ndokush vite më parë, dhe burimi i vetëm i sigurtë financiar për vite të tëra dhe për çdo vit veç e veç.
Janë burim i pashterrshëm i të hyrave për Kosovën e vobektë dhe me potencë të reduktuar financiare tani e më shumë se dy dekada dhe infuzion financiar aq i nevojshëm, tani i bërë edhe i domosdoshëm për kosovarët.
Remitencat për Kosovën, thënë shkurt e shqip, janë mbijetesa e shtetit dhe pushtetit, mbijetesa e institucioneve të vendit, por edhe e kosovarëve të papunë, janë po ashtu zhvillimi ekonomik, zbutje evidente e pasojave të varfërisë, preventivë për ta vënë “vijëzën e kuqe” ndërmjet humnerës financiare dhe krizës së madhe të mungesës së parasë, por edhe katalizator me ndikim në mbajtjen e një niveli modest të mirëqenies sociale.
Prurjet e parave nga diaspora janë shumë nga 1999-ta e këndej. Për të parë përmasat e remitancave të diasporës sonë, po i prezentojmë disa të dhëna të bëra tashmë publike nga institucionet monetare ndërkomëtare që nga viti 2008 e deri më 2021, që janë të përafërta, por jo plotësisht të sakta, gjithsesi.
Të dhënat e institucioneve përkatëse të vendit flasin për shuma më të mëdha. Më 2008 në Kosovë, prurjet e parave të mërgatës sonë kanë qenë 858 milionë euro, më 2009 – 865 milionë euro, më 2010 – 825 milionë, në vitin 2011 – 814 milionë euro, më 2012 – 775 milionë euro, 2013 – 867 milionë euro, 2014 – 901 milionë euro, 2015 – 796 milionë euro, 2016 – 808 milionë euro, 2017 – 911 milionë euro, 2018 – 1.13 miliard euro, 2019 – 1.23 miliard euro, 2020 – 980 milionë euro dhe 2021 – 1.14 miliard euro.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovë (BQK), gjatë vitit 2021, diaspora ka dërguar në Kosovë 1 miliard e 443 milionë euro.
Sivjet, po kështu, ka sinjale që paratë e diasporës do të jenë në shuma të mëdha. Gjatë katër muajve të parë të këtij viti (janar-prill), janë evidentuar të kenë hyrë në Kosovë 351,5 milionë euro, ndërsa vlera më e lartë ishte gjatë muajit prill me 110.1 milionë euro.
Sipas BB-së, pjesëmarrja e remitencave në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Kosovës është rreth 20 për qind, ose më konkretisht, që nga paslufta ato vazhdojnë të përbëjnë burimin më të madh të të ardhurave në Kosovë. Këto janë para e madhe. Dhe, siç dihet, deri më tash, janë investuar kryesisht në buxhetet familjare, për mbijetesën e familjeve të diasporës në Kosovë, kurse në vitet e fundit, mërgimtarët janë përcaktuar që paranë e tyre ta investojnë goxha shumë edhe në blerjen e patundshmërive, kryesisht të banesave në qendra të ndryshme të Kosovës dhe më së shumti në kryeqytet.
Për këtë flasin faktet: Mërgimtarët kosovarë kanë investuar shumë e shumë në blerje të patundshmërive. Vetëm në periudhën janar-shtator të vitit të kaluar, janë shpenzuar 265 milionë euro investime të huaja direkte në patundshmëri. Dhe, e gjithë kjo para, praktikisht është e diasporës sonë. Blerja e banesave, shtëpive e tokave përbënë 68 për qind nga gjithsej 389 milionë eurove të investimeve nga jashtë në vitin e kaluar. Ndërsa, këto të dhëna flasin se deri më tash, dolën thuaja se të jenë të paefektshme deklarimet e shumta të zyrtarëve se “duhet që mjetet e diasporës të orientohen në jetësimin e projekteve investuese, dhe në këtë kuptim, duhet inkurajuar mërgatën tonë për të investuar paranë e tyre në vendlindje”.
Ç’është më keq, edhe më tutje, në Kosovë nuk ka ndonjë projekt madhor të realizuar me kapital të diasporës, as ndonjë kapacitet ekonomik-prodhues atraktiv dhe që sjellë të hyra solide, dhe nuk ka as ndonjë nismë për të investuar paranë e mërgatës në këso projektesh.
Investimet e diasporës, gjegjësisht remitencat deri tash shquhen në angazhimet e tyre me shumicë absolute në paluajtshmëri dhe më konkretisht në blerjen e banesave në qytete të ndryshme të Kosovës dhe më së shumti në kryqytet dhe në konsumin për mirëqenie familjare. Vlerësohet se diku rreth 70 për qind e parave të diasporës që arrijnë në Kosovë, shpenzohen për buxhete familjare.
As Qeveria aktuale e Kosovës, sikundër pararendëset, sado dashamirëse dhe premtuese në favor të konkretizimit të investimeve me para të diasporës, nuk u tregua këmbëngulëse deri në fund, për të insistuar në krijimin e konditave joshëse për ta investuar këtu paranë e bashkëatdhetarëve tanë, as për të krijuar instrumente praktike për t’i orientuar ato në ndërtimin e potencialeve atraktive zhvillimore. Thjesht, disa prej parashikimeve të kësaj Qeverie, sikur ajo për t’u emetuar bono thesari të dedikuara për diasporën, nuk u dëshmuan se i bindën edhe aq bashkombasit tanë për të investuar paranë e tyre në vendlindje.
Mbase zyrtarët aktual të vendit, tani e tutje, do të jenë më kreativ dhe më intrigues në politikat vijuese për trajtimin e diasporës në përgjithësi dhe paranë së tyre në veçanti. Në mungesë të rezultateve të prekshme të investimeve të mërgatës, por edhe trajtimit të gjithanshëm më të mirë të bashkatdhetarëve tanë, tashmë kanë zënë të zbehen edhe fjalët premtuese të kryeministrit të vendit, Albin Kurtit, të bëra në Forumin e Bizneseve të Diasporës, të mbajtur kohë më parë në Prishtinë, se “janë duke punuar që mërgata të jetë pjesë integrale e zhvillimit të Kosovës, atij shoqëror, ekonomik e kulturor dhe janë duke zhvilluar një dialog për të përfaqësuar sa më mirë interesat e tyre në Strategjinë për mërgatën që pritet të finalizohet këtë vit”.
Thjesht, nuk po shihen efektet dhe rezultatet e ftesës ndryshe, të bërë për mërgatën tonë nga kryeministri i vendit në Forumin e Bizneseve të Diasporës. Kurti nuk e ftoi diasporën për të investuar në emër të patriotizmit, atdhedashurisë, dashurisë për vendlindjen, siç ishte praktikë thuaja standarde e deritashme, në të gjitha rastet e takimeve me përfaqësues të mërgatës.
Kryeministri, ftoi diasporën drejtëpërdrejt, duke ua bërë të ditur se “investimi në Kosovë paraqet një mundësi përfitimi si kurrë më parë”.
“Tani më me situatën e volitshme ekonomike dhe potencialin zhvillimor, investimi në Kosovë paraqet një mundësi përfitimi si kurrë më parë. Ejani, kontribuoni dhe fitoni. Nuk jemi në të kaluarën kur kemi bërë thirrje për kontribut përmes sakrificës, po kontribut përmes përfitimit të dyanshëm”, tha Kurti.
Me këtë rast, kryeministri i bëri ftesë diasporës pa ndonjë kompleks e keqardhje se Kosova ka nevojë për ta, për dijëen dhe përvojën e tyre: “Jemi duke shikuar mënyrat si ta përdorim dijen dhe eksperiencën e marrë jashtë për të zhvilluar vendin…. Jemi në situatë kur kemi nevojë jo më pak për dijen, shkathtësitë, përvojën, etikën e punës së mërgatës e jo vetëm për financat e bazën e tyre materiale”.
Mirëpo, po duket se ftesën e drejtpërdrejtë të kryeministrit nuk e kanë kuptuar edhe aq qartë institucionet e shumta të vendit, ministritë përkatëse, pushtetet lokale nëpër qendrat komunale. Edhe më tej nuk ka rezultate. Nuk ka investime në Kosovë të biznesit dhe afaristëve nga mërgata. Prandaj, në rrethanat kur vendit i nevojiten aq shumë paratë e mërgatës, dhe kur zhvillimi i Kosovës është i lidhur drejtpërdrejtë dhe në masë relativisht të madhe me paranë e diasporës, krahas ftesës ndryshe nga herat e tjera, do të duhej të veprohej institucionalisht, pa humbur kohë, për të krijuar ligjërisht kushte të favorshme për investimin e parasë së mërgimtarëve tanë. Sepse, nuk mjafton vetëm pozita gjeografike e Kosovës, aeroporti modern, infrastruktura rrugore, afërsia e porteve që e bëjnë vendin tonë një vend të volitshëm tregtar e transportues. Nuk mjaftojnë as ftesat me fjalë të mira.
Duhet fuqizuar një orë e më parë rendi dhe ligji dhe përmirësimi i të gjitha parakushteve të të bërit biznes. Mërgatës tani, sikundër çdo investitori të jashtëm, i duhet garanci për qenë i bindur se investimi i tyre do të jetë qind për qind i sigurtë. Mërgata jonë gjithnjë u dëshmua se e do njëmend vendin e tyre. E dëshmoi këtë dashni qindra e qindra herë edhe konkretisht.
Bashkëatdhetarët tanë u treguan të vendosur dhe të gatshëm për ta ndihmuar vendin. I gatshëm dhe me vullnet politik duhet të tregohet edhe shteti i Kosovës, institucionet dhe autoritetet e tij për një bashkëpunim më të gjithanshëm me diasporën dhe për një trajtim më serioz të mërgatës sonë. Nuk mjafton në asnjë mënyrë, një takim i kreut të komunës me përfaqësues të mërgimtarëve, as vetëm një koncert apo një mbrëmje tjetër artistike me ndonjë nga artistët e estradës sonë. Më e rëndësishmja tani është të mbahen premtimet e dhëna ndaj tyre në takimet më rastin e ardhjes këtu, por edhe të vizitave të ndryshme të zyrtarëve të Kosovës në mesin e diasporës. Në asnjë mënyrë mos të lihen jashtë rrjedhave të zhvillimeve ekonomike e shoqërore, siç ndodhi në shumë raste deri më tani.
Askush nuk mund ta mohojë se nuk pati deri tani, anashkalime të biznesmenëve nga diapora, qoftë në procesin e privatizimit të Kosovës, qoftë në procesin e tenderimit të punëve të ndryshme në procesin e prodhimit dhe në kryerjen e shërbimeve, për çka kompanitë e ndryshme të diasporës sonë po vlerësohen tashmë si shumë kompetente dhe profesioniste në vendet ku po afarojnë me bizneset e tyre. Për secilin vizion a plan konkret për kapacitete të reja prodhuese e të shërbimeve, paraprakisht duhet të njoftohet deri në detaje diaspora jonë. Dhe të vlerësohen si të barabartë në garën eventuale konkurruese.
Në këtë kontekst, të studiohen përvojat e mira të vendeve me diasporë të madhe numerikisht, dhe pse jo, të mësohet nga këto përvoja. Këto dhe çështje të tjera jetike për diasporën tonë duhet në vazhdimësi të trajtohen me vemendje nga qeveria Kurti. Këtë vëmendje e meriton mërgata jonë, por ajo detyrimisht, nëse jo në vendin amë, diku do t’i investojë kursimet e veta, që po shihet se nuk janë për t’u nënçmuar. Ose, do të vazhdojnë investimet e diasporës në paluajtshmëri, respektivisht në blerjen e banesave. /Buletini Ekonomik/