Euro e mbyll javën në rritje në kursin e këmbimit me Lekun

Fotografi ilustruese

Euro e mbylli këtë javë në rritje në kursin e këmbimit me Lekun.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha Europiane u këmbye të premten me 117.81 Lekë, në rritje me 0.71 pikë në raport me fundin e javës së kaluar. Agjentët e këmbimit valutor mendojnë se rritja e Euros i detyrohet kryesisht zbehjes së efektit sezonal në kursin e këmbimit valutor.

Këtë verë Euro preku nivelet më të ulëta historike në kursin e këmbimit me Lekun, edhe për shkak të shifrave rekord që regjistroi turizmi hyrës në vend. Në fund të muajit korrik, Euro zbriti deri në nivelin e 116.6 Lekëve, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Reklama e sponzorizuar

Me fillimin e muajit shtator, intensiteti i sezonit turistik është në rënie dhe prurjet valutore të lidhura me të gjithashtu.

Ekspertët mendojnë se në vazhdim kursi i këmbimit mund të ndikohet nga nevojat e importit të energjisë elektrike. Ky faktor ka luajtur një rol të konsiderueshëm në momente të veçanta gjatë këtij viti, sidomos në fillim të muajit mars, por edhe në muajin gusht. Vlerësohet se këtë vit Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka importuar energji në vlerën e rreth 300 milionë Eurove, shumë e blerë në tregun e brendshëm valutor. Në mungesë të këtyre blerjeve, me siguri Euro mund të kishte arritur nivele edhe më të ulëta në kursin e këmbimit me Lekun.

Tani që sezoni turistik e ka kaluar fazën e pikut, nevojat valutore për të përballuar importet e energjisë elektrike mund të kenë një ndikim në rritje në kursin e këmbimit valutor dhe mund ta zhvendosin në nivele më të larta kursin e këmbimit të Euros me Lekun.

Leku e mbylli javën në rënie edhe në kursin e këmbimit me Dollarin Amerikan. Sipas kursit zyrtar, Dollari u këmbye të premten me 117.85 Lekë, afërsisht 0.85 pikë më shumë krahasuar me fundin e javës së kaluar. Mbiçmimi i dollarit reflekton forcimin e monedhës amerikane në tregjet botërore dhe kryesisht në raport me Euron. Rënia e Euros poshtë vlerës së Dollarit Amerikan ka bërë që monedha e gjelbër të forcohet edhe ndaj Lekut, madje për herë të parë në fund të muajit gusht kursi USD-LEK arriti nivele më të larta se kursi EUR-LEK.

Forcimi i Dollarit ka një impakt negativ sidomos në çmimin e lëndëve të para dhe nënprodukteve, që zakonisht kuotohen dhe shiten në monedhën amerikane. Efekti më i ndjeshëm është në çmimet e karburanteve, që prej muajsh tregtohen me çmim tavan të fiksuar nga Bordi i Transparencës dhe ku kursi i këmbimit të Dollarit është një nga elementët që përdoren në formulën e llogaritjes së çmimit. /Monitor.al/

Burimi:Banka e Shqipërisë